Donacion prej 500 mijë dollarësh për pacientët me hemofili, Instituti merr 1.2 milion njësi të faktorit 8

Instituti i Mjekësisë Transfuzive ka marrë donacion prej 1.2 milion njësish të faktorit 8 për trajtimin e hemofilisë, me vlerë rreth 500 mijë dollarë.

Donacioni vjen pas disa muajsh bllokadë për shkak të problemeve administrative dhe burokratike.

“Falë këmbënguljes së Shoqatës së Hemofilikëve dhe Institutit, u mundësua tejkalimi i të gjitha pengesave dhe që nga kjo javë ilaçi është në dispozicion të Institutit, ndërsa së shpejti do të jetë në dispozicion edhe për pacientët. Ky donacion do ta përmirësojë ndjeshëm gjendjen e grupit të pacientëve të prekur nga hemofilia”, tha ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Ai konfirmoi se donacioni vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka edhe ishte vonuar realizimi i tij.

“Meqë ilaçi nuk ka regjistrim evropian, na nevojiteshin certifikata të veçanta të cilësisë dhe kjo tani është përfunduar”, tha Klekovski.

Nga Instituti i Mjekësisë Transfuzive theksuan se pacientët me hemofili janë rregullisht të mbuluar me terapi, ndërsa ky donacion do të përdoret kryesisht në rastet kur planifikohet ndonjë ndërhyrje kirurgjikale.

Klekovski tha se është e nevojshme të funksionalizohet edhe regjistri i pacientëve me hemofili, në mënyrë që të mund të paralajmërohen dhe monitorohen situatat e jashtëzakonshme, përfshirë vizitat te dentisti dhe planifikimin e shtatzënisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *