Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nisin përgatitjet për tunelin hekurudhor të Korridorit 8
Në Sofje është mbajtur takimi i parë i grupit të përbashkët të punës të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kushtuar përgatitjeve për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në kuadër të Korridorit 8.
Takimin e kryesuan zëvendësministrja e Transportit e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, dhe zëvendësministrja e Transportit e Bullgarisë, Cveta Timeva.
Zekolli-Shaqiri theksoi se ndërtimi i tunelit hekurudhor ndërkufitar është projekt strategjik me rëndësi të madhe rajonale. Të dyja palët konfirmuan angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në të gjitha fazat e realizimit të projektit.
Në takim u dakordua një dinamikë e qartë e aktiviteteve, përcaktimi i obligimeve konkrete të institucioneve të të dyja vendeve dhe vazhdimi i përgatitjeve të përbashkëta teknike. Gjithashtu, u përcaktuan hapat e ardhshëm për sigurimin e mbështetjes financiare dhe koordinimin teknik, me qëllim përshpejtimin e realizimit të projektit.
Takimi i ardhshëm i grupit të përbashkët të punës do të mbahet në Shkup, ku pritet të shqyrtohet zbatimi i aktiviteteve të dakorduara dhe të përcaktohen hapat e mëtejshëm.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka mbetur pa fondet IPA të parashikuara për ndërtimin e pjesës së tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë, pasi brenda afatit të përcaktuar nuk u lidh kontrata për ndërtimin.
Për vazhdimin e projektit, Qeveria i ka dorëzuar Kuvendit ndryshime në ligjet për kreditë nga BERZH-i dhe BEI-ja. Me këto ndryshime nuk parashikohet huamarrje e re, por ndryshimi i mënyrës së realizimit dhe financimit të projektit.
Sipas arsyetimit të projektligjeve, tenderi i shpallur në vitin 2024 u anulua pasi nuk u lidh kontrata për ndërtim brenda afatit të paraparë. Për pasojë, fondet IPA të siguruara për projektin nuk janë më në dispozicion.
Kreditë prej 175 milionë eurosh secila, të siguruara nga BERZH-i dhe BEI-ja, nuk ndryshohen. Në vend të kësaj, parashihet një strukturë e re financiare dhe zbatuese për vazhdimin e projektit.
Tenderi i ri nuk do të përfshijë ndërtimin e tunelit ndërkufitar me Bullgarinë, por vetëm pjesën hekurudhore nga Kriva Pallanka deri te portali perëndimor i tunelit.
Qeveria planifikon që deri në 52 milionë euro për elektrifikimin e tri pjesëve, si dhe për sistemet sinjalizuese dhe telekomunikuese të pjesës së tretë, t’i sigurojë nga buxheti i shtetit, jo më herët se viti 2032 dhe përmes disa viteve buxhetore.
Në rast se Bashkimi Evropian nuk siguron grant për pjesën e tunelit ndërkufitar nga ana e Maqedonisë së Veriut, Qeveria ka paralajmëruar se edhe këto mjete do të sigurohen nga buxheti i shtetit pas vitit 2032.

