Nëntë raste të dhunës në familje për 24 orë në RMV, shtatë persona të arrestuar
Policia në Maqedoninë e Veriut ka regjistruar nëntë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa shtatë persona janë arrestuar nën dyshimet për sulme fizike, kërcënime dhe sjellje të dhunshme ndaj anëtarëve të familjes.
Rastet janë raportuar në Vallandovë, Kavadar, Ohër, Shtip, Shkup, Kumanovë, Makedonski Brod dhe Manastir, ku viktima kanë qenë prindër, bashkëshortë, motra dhe vëllezër.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit ndryshime ligjore për forcimin e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje. Ndryshimet parashohin që policia, bazuar në vlerësimin e rrezikut, të ketë të drejtë të largojë menjëherë dhunuesin nga shtëpia dhe t’i ndalojë kontaktin me viktimën. Këto masa u nxitën edhe pas tragjedisë së marsit 2026 në Shkup, ku një grua dhe vajza e saj humbën jetën pas një historie të gjatë të dhunës në familje.

