Mickoski: Kriza e ujit në Gostivar u shkaktua nga puna e pakujdesshme e punonjësve të “Ujësjellësit”
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se kriza me ujin në Gostivar është shkaktuar nga puna e pakujdesshme e punonjësve të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi”, të cilët dyshohet se kanë transferuar drejtpërdrejt ujë nga një lumë në rezervuarin kryesor të ujit të pijshëm, duke përdorur tuba dhe pompa.
Gjatë një vizite në Dibër, Mickoski tha se Prokuroria tashmë po ndërmerr veprime dhe se disa persona janë siguruar dhe marrë në pyetje.
“Pres që të ketë zgjerim të hetimit. Përgjegjësia është locuar dhe po ndërmerren masa”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se tashmë është siguruar ujë teknik për qytetarët, ndërsa procesi i hiperklorinimit po realizohet nga ekspertë të “Ujësjellësit” të Shkupit. Sipas tij, çdo ditë merren dhe analizohen mostra të reja të ujit.
Mickoski tha se pret që shumë shpejt qytetarët e Gostivarit të mund të përdorin sërish ujë të sigurt për pije dhe gatim, duke kërkuar durim gjatë përfundimit të procesit të dezinfektimit dhe analizave.
Kriza e ujit në Gostivar shpërtheu më 17 korrik, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për pije, pasi u zbulua se ujëra të ndotura ishin futur drejtpërdrejt në sistemin e ujësjellësit. Më pas, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe dy punonjës u arrestuan dhe ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e sistemit të ujësjellësit.
Sipas rezultateve të analizave të publikuara nga Prokuroria, në ujin e Gostivarit u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua edhe prani e baktereve koliforme në nivel prej 39 cfu/100 ml, ndonëse sipas standardeve duhet të jetë 0 cfu/100 ml.
Rezultatet treguan për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm, ndërsa autoritetet vazhdojnë me hiperklorinimin dhe testimin e mostrave, para se uji të shpallet i sigurt për konsum.

