Mucunski dhe Osmani përplasen për diplomacinë, debati kalon edhe në lagjet e Çairit
Ministri aktual i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, kanë shkëmbyer akuza dhe kritika publike, fillimisht për diplomacinë dhe procesin e integrimit evropian, ndërsa debati më pas kaloi edhe në rezultatet e zgjedhjeve lokale në Çair, transmeton Portalb.mk.
“Një politikan që ka humbur besimin edhe në lagjen e tij është i fundit që duhet të japë mësime”, deklaroi Mucunski, duke iu referuar humbjes së Osmanit në zgjedhjet e fundit lokale në Çair.
Mucunski kritikoi edhe deklaratat e ish-ministrit lidhur me negociatat me Bashkimin Evropian, duke e akuzuar për shtrembërim të fakteve.
Osmani, ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale shkroi se për katër vjet kishte përsëritur se protokollet nuk janë pjesë e Kornizës Negociuese, duke pretenduar se për këtë kishte përballuar kritika dhe sulme. “Një hap kaloi – Protokolli nuk është pjesë e kornizës. Ne vazhdojmë…”, shkroi Osmani.
Në kundërpërgjigje, Mucunski vlerësoi se Osmani është “personi i fundit” që duhet të flasë për procesin e negociatave me BE-në.
Ndërkohë, Mucunski deklaroi më 24 korrik se Maqedonia e Veriut është në komunikim të vazhdueshëm me vendet anëtare të BE-së, institucionet evropiane dhe Bullgarinë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Sipas tij, publiku është i informuar për pjesën më të madhe të aktiviteteve, ndërsa detajet e bisedimeve nuk mund të bëhen publike.
Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë e bllokuar në procesin e integrimit evropian për shkak të kontestit me Bullgarinë. Për të avancuar në proces, vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese që parashohin përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë. Për miratimin e tyre nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.
Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese pa garanci të qarta për vazhdimin e procesit evropian.
Maqedonia e Veriut i nisi bisedimet për anëtarësim në BE më 19 korrik 2022, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez më 16 korrik të po atij viti. Propozimi u votua në Kuvend pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme, e cila sot është pjesë e pushtetit.

