Mickoski në Uashington: “Procesi drejt BE-së praktikisht nuk përfundon kurrë”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se vendi vazhdon të përballet me pengesa në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke shprehur shqetësimin se kërkesat ndaj Shkupit mund të mos përfundojnë me ndryshimet aktuale kushtetuese.

Duke folur në një bisedë për Këshillin Atlantik në Uashington, Mickoski tha se Maqedonia e Veriut, sipas tij, vazhdimisht përballet me çështje dypalëshe në procesin e integrimit evropian.

“Ne i përmbushim të gjitha, e më pas përsëri përballemi me pengesa të imponuara artificialisht – fillimisht ndryshimi i emrit, ndërsa tani përsëri ndryshimi i Kushtetutës. Ajo që më frikëson është se ky proces praktikisht nuk përfundon kurrë”, deklaroi Mickoski.

Ai tha se askush nuk mund të garantojë se kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës do të jetë e fundit dhe e cilësoi rastin e Maqedonisë së Veriut si të veçantë krahasuar me vendet e tjera që janë anëtarësuar në BE.

Sipas Mickoskit, Maqedonia e Veriut e ka nisur rrugëtimin drejt integrimit evropian në vitin 2001, kur nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërsa më pas, së bashku me Kroacinë, mori statusin e vendit kandidat dhe raportin e parë pozitiv të Komisionit Evropian për fillimin e negociatave.

Kryeministri kritikoi edhe vendimet e qeverisë së mëparshme, duke pretenduar se ajo kishte pranuar ndryshimin e Kushtetutës pa pasur shumicën prej dy të tretash në Kuvend.

“Mes kushteve, përsëri kemi kërkesë për ndryshim shtesë të Kushtetutës”, tha Mickoski.

Ai theksoi se qeveria aktuale nuk duhet të tërhiqet nga dialogu me BE-në, duke deklaruar se do të vazhdojë negociatat dhe përpjekjet për të gjetur një zgjidhje.

Mickoski nuk e përjashtoi mundësinë që ndryshimet kushtetuese të miratohen, por propozoi që zbatimi i tyre të shtyhet deri në përfundimin e negociatave me BE-në. Sipas tij, kjo do të shërbente si garanci që pas përmbushjes së këtij kushti të mos paraqiten pengesa të tjera.

Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë bullgarët dhe komunitete të tjera në preambulë, si pjesë e kushteve të përcaktuara në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

Negociatat e anëtarësimit me BE-në nuk mund të avancojnë në fazën e parashikuar pa përmbushjen e këtij kushti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *