Sot skadon afati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ende pa marrëveshje mes partive
Maqedonia e Veriut hyn në ditën e fundit të afatit për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje. Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje partive opozitare të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të harmonizojnë qëndrimet, duke theksuar se koalicioni qeveritar tashmë e ka unifikuar pozicionin e tij.
Mickoski deklaroi se Qeveria do të mbështesë çdo propozim për të cilin opozita arrin konsensus, për sa kohë që përfshihet edhe votimi i diasporës. Megjithatë, ai u shpreh pesimist për arritjen e një marrëveshjeje, duke fajësuar, sipas tij, mungesën e përgjegjësisë dhe pjekurisë politike.
Nga ana tjetër, LSDM akuzoi VMRO-DPMNE-në për manipulim të opinionit publik, duke theksuar se ndryshimet e propozuara nuk janë kërkesë e Bashkimit Evropian dhe nuk përbëjnë kusht për avancimin e negociatave me BE-në. Ndërkohë, partia E Majta akuzoi LSDM-në për bashkëpunim me pushtetin.
Sot, vendi duhet t’i dorëzojë Bashkimit Evropian raportin për reformat e realizuara. Afati fillestar për miratimin e ndryshimeve ishte 30 qershori 2025, por Qeveria e konsideron të vlefshme periudhën shtesë deri në fund të qershorit 2026. Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua në mars të këtij viti dhe ka punuar mbi propozimet e përgatitura nga Ministria e Drejtësisë.

