Nikolloski: Dhjetë kilometrat më të komplikuara të autostradës Ohër–Kërçovë do të hapen në muajt e ardhshëm
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, sot inspektoi punimet në autostradën Ohër–Kërçovë, duke deklaruar se dhjetë kilometrat më të komplikuara të këtij aksi pritet të hapen për qarkullim në muajt e ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
“Ndërtimi i autostradës Ohër–Kërçovë po zhvillohet me një dinamikë të shkëlqyer. Intensivisht po ndërtohen galeritë dhe në muajin e ardhshëm do të lëshohen për qarkullim dhjetë kilometrat më të komplikuara”, deklaroi Nikolloski.
Sipas tij, në këtë pjesë është planifikuar ndërtimi i gjithsej tetë galerive. Dy prej tyre tashmë kanë përfunduar plotësisht, ndërsa në të tretën po punohet me intensitet. Paralelisht po zhvillohen punimet edhe në ura dhe tunele, përfshirë tunelin me gjatësi prej 2.1 kilometrash, i cili është më i gjati në Maqedoninë e Veriut.
Të gjitha këto punime do të jenë pjesë e dhjetë kilometrave të ardhshme të autostradës që pritet të hapen për qarkullim.
Në shkurt të këtij viti u njoftua se për përfundimin e autostradës Kërçovë–Ohër janë siguruar edhe 186 milionë euro, ndërsa afati i përfundimit është vendosur për qershorin e vitit të ardhshëm. Në mars, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, nënshkroi aneksin e tetë të marrëveshjes me kompaninë kineze Sinohydro. Mjetet janë dedikuar veçanërisht për sanimin e rrëshqitjeve të dheut dhe ndërtimin e 14 galerive.
Autostrada Ohër–Kërçovë është e gjatë 57 kilometra, ndërsa deri më tani janë lëshuar në përdorim rreth 40 kilometra.
Projekti ka qenë në ndërtim për më shumë se 12 vjet dhe ishte iniciuar gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili aktualisht ndodhet në Hungari, ku gëzon azil.
Financimi i autostradës përmes kredisë nga Banka Kineze Eksim ishte pjesë e rastit të Prokurorisë Speciale Publike, të njohur si “Trajektorja”. Në këtë rast ishin të akuzuar, përveç Gruevskit, edhe ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe ish-drejtori i NPRRSh-së, Ljupço Georgievski.
Procedura penale ndaj tyre përfundoi si pasojë e vjetërsimit të veprës penale, pas ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara gjatë qeverisjes së mëparshme të udhëhequr nga LSDM dhe BDI. Sipas aktakuzës, dëmi i pretenduar ndaj buxhetit të shtetit në këtë rast arrinte në 155 milionë euro.

