Maqedonia e Veriut dhe Kosova thellojnë bashkëpunimin doganor, fokus te Bllaca–Hani i Elezit
Forcimi i bashkëpunimit operacional, shkëmbimi më i shpejtë i të dhënave, lehtësimi i tregtisë dhe rritja e sigurisë kufitare ishin në fokus të takimit bilateral të administratave doganore të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të zhvilluar në Prishtinë.
Në takim, vëmendje e veçantë iu kushtua konceptit One-Stop Shop në pikën kufitare Bllacë–Hani i Elezit, me synim thjeshtimin e procedurave dhe përshpejtimin e qarkullimit të mallrave dhe udhëtarëve.
Palët diskutuan edhe për avancimin e shkëmbimit të të dhënave përmes sistemit SEED, harmonizimin e procedurave, si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve në pikat kufitare.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian, u shkëmbyen përvoja lidhur me reformat dhe digjitalizimin e punës doganore, përfshirë përgatitjet për harmonizimin me sistemet dhe standardet evropiane.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua inteligjencës doganore dhe shkëmbimit të informacionit, me qëllim zbulimin dhe parandalimin më efikas të mashtrimeve doganore, kontrabandës dhe formave të tjera të krimit ndërkufitar.
Drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikollovski, theksoi se kufiri duhet të jetë sa më i thjeshtë për tregtinë legale dhe udhëtarët, por njëkohësisht edhe një barrierë efikase kundër krimit.
Të dyja administratat konfirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral dhe realizimin e aktiviteteve konkrete për procedura doganore më efikase, lehtësimin e tregtisë, forcimin e sigurisë dhe mbështetjen e integrimit evropian të rajonit.

