DAP përfundon tatimimin vjetor për vitin 2025, qytetarët deklaruan mbi 612 miliardë denarë të ardhura

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka njoftuar se ka përfunduar procesin e tatimimit vjetor të qytetarëve për vitin 2025. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti janë deklaruar të ardhura të përgjithshme në vlerë prej mbi 612 miliardë denarësh, ndërsa tatimi i llogaritur mbi të ardhurat personale arrin në 39,8 miliardë denarë.

DAP bën të ditur se, krahasuar me vitin 2024, të ardhurat e deklaruara janë rritur për 74,1 miliardë denarë, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale është rritur për 4,86 miliardë denarë.

Sipas institucionit, janë gjeneruar gjithsej 863.100 deklarata vjetore tatimore. Prej tyre, 704.443 janë të qasshme në profilet e përdoruesve në sistemin e-Shërbimet Tatimore, ndërsa pjesa tjetër u përket qytetarëve që ende nuk kanë krijuar profil në platformë.

Nga DAP u bëhet thirrje të gjithë personave fizikë që ende nuk janë regjistruar në sistemin e-Shërbimeve Tatimore ta bëjnë këtë sa më shpejt, në mënyrë që të kenë qasje në deklaratën e tyre tatimore dhe të verifikojnë nëse kanë detyrim për pagesë shtesë ose të drejtë për kthim të tatimit.

Institucioni njofton gjithashtu se, nga deklaratat e disponueshme në sistem, 26.653 janë konfirmuar personalisht nga tatimpaguesit, 1.145 janë korrigjuar prej tyre, ndërsa 676.645 deklarata janë konfirmuar zyrtarisht nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *