Pas Gostivarit, ujë i papërshtatshëm konstatohet edhe në Krushevë, Filipçe ngre shqetësime për spitalin në Leshkë

Kriza e ujit të pijshëm nuk po kufizohet më vetëm në Gostivar. Pas shpalljes së epidemisë së gastroenteritit në këtë qytet, alarmi është zgjeruar edhe në Krushevë, ku analizat kanë treguar se uji është bakteriologjikisht i papërshtatshëm për pije, ndërsa kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pretendon se probleme të ngjashme janë evidentuar edhe në Spitalin për Sëmundje të Mushkërive në Leshkë.

Ndërmarrja Publike “Komuna” në Krushevë, duke iu referuar rezultateve të Qendrës për Shëndet Publik – Prilep, u bëri thirrje qytetarëve të përdorin ujë të ambalazhuar për pije. Autoritetet njoftuan gjithashtu se edhe burimet publike të ujit pranë pompës së derivateve dhe lokalitetit “Shën Petka” kanë rezultuar të papërshtatshme për konsum.

Banorëve u rekomandohet që ujin nga rrjeti i ujësjellësit ta përdorin vetëm për higjienë dhe përgatitje ushqimi pasi të vlohet të paktën 10 minuta. Sipas ndërmarrjes, rekomandimet do të mbeten në fuqi derisa tri analiza radhazi të konfirmojnë se uji është i sigurt.

Ndërkohë, Venko Filipçe publikoi dokumente të Qendrës për Shëndet Publik – Tetovë, për të cilat tha se tregojnë se në Spitalin për Sëmundje të Mushkërive në Leshkë është konstatuar prani e 51 baktereve koliforme në 100 mililitra ujë, duke e bërë atë të papërshtatshëm për pije.

Ai akuzoi institucionet për mungesë reagimi dhe kërkoi kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha sistemet e furnizimit me ujë në vend, si dhe publikimin e analizave fizike, kimike dhe mikrobiologjike të ujit.

Në debat u përfshi edhe partia DOM, e cila paralajmëroi se burimi Rashçe, që furnizon me ujë të pijshëm Shkupin, mund të rrezikohet nga ndotja me krom gjashtëvalent nga deponia e ish-kombinatit “Jugohrom” në Jegunovcë. Partia kërkoi masa parandaluese urgjente, duke e cilësuar mbrojtjen e burimeve të ujit si çështje të sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, hetimet për rastin në Gostivar vazhdojnë. Tre persona ndodhen në paraburgim nën dyshimet për ndotjen e sistemit të ujësjellësit, ndërsa analizat e Prokurorisë kanë treguar se në ujin e qytetit u gjetën 48 herë më shumë baktere sesa kufiri i lejuar, pasi në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste ujë nga lumi Vardar. Situata ka ngritur shqetësime për sigurinë e sistemeve të furnizimit me ujë në mbarë vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *