“Penko” mbyll paralele shqipe për “mungesë nxënësish”, ndërsa 90% e nxënësve janë shqiptarë

Në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski-Penko” në Komunën e Butelit është mbyllur një paralele e klasës së parë me mësim në gjuhën shqipe, me arsyetimin se nuk ka numër të mjaftueshëm nxënësish. Ndërkohë, shkolla numëron mbi 1.700 nxënës, rreth 90 për qind e të cilëve janë shqiptarë.

Prindërit shqiptarë nga pjesë të Komunës së Çairit që jetojnë pranë shkollës po përballen me refuzim të regjistrimit të fëmijëve të tyre, me arsyetimin se nuk i përkasin territorit të Komunës së Butelit, transmeton Portalb.mk.

Nga BDI pretendojnë se në këtë shkollë po regjistrohen nxënës që nuk i përkasin zonës së saj, por që ndjekin mësimin në paralelet në gjuhën maqedonase dhe turke. Ata kërkojnë rishqyrtimin e kritereve të regjistrimit dhe rihapjen e paraleles në gjuhën shqipe.

“Në këtë shkollë disa prindër kanë fëmijët e tyre më të mëdhenj që ndjekin mësimin, ndërsa fëmijës më të vogël këtë vit nuk i lejohet që të regjistrohet këtu, duke i detyruar prindërit t’i dërgojnë në shkollë tjetër”, tha Armend Murseli, këshilltar i BDI-së në Komunën e Butelit.

Ai kërkoi që institucionet kompetente të shqyrtojnë ankesat e prindërve, kriteret e regjistrimit dhe vendimin për mbylljen e paraleles shqipe.

Nga Komuna e Butelit thonë se nuk është marrë vendim për mbylljen e paraleles.

“Sektori për Arsim në Komunën e Butelit nuk ka marrë asnjë vendim të tillë për mbylljen e paraleles në fjalë. Me vetë faktin që në një paralele janë 18 nxënës nuk do të thotë automatikisht se ajo duhet të mbyllet”, thonë nga Komuna e Butelit.

Sipas tyre, problemi nuk duhet të shihet vetëm përmes kufirit administrativ mes Butelit dhe Çairit, pasi ka banorë që jetojnë në territorin e Butelit, por ende figurojnë me adresa në komunat prej nga kanë ardhur.

Në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor, një paralele e rregullt formohet me 20 deri në 30 nxënës. Megjithatë, ligji lejon që paralelja të formohet edhe me më pak nxënës, me pëlqimin përkatës dhe mendimin pozitiv të institucioneve kompetente.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se duhet të shqyrtohen të gjitha faktet relevante, përfshirë zonën së cilës u përkasin nxënësit, gjuhën në të cilën ndjekin mësimin, mundësinë që në shkollën amë të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe dhe nëse janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e paraleles me më pak se 20 nxënës.

“Ne jemi të gatshëm që në koordinim me Komunën e Butelit, Komunën e Çairit, shkollat dhe prindërit, t’i shqyrtojmë të dhënat dhe të gjendet një zgjidhje ligjore dhe e qëndrueshme, me të cilën nxënësve do t’u mundësohet vazhdimi i papenguar i arsimit fillor në gjuhën amtare, në të cilën kanë të drejtë të arsimohen”, thonë nga Ministria e Arsimit.

TV Alsat raportoi se vendimi për riorganizimin e paraleles shqipe ka shkaktuar revoltë edhe te mësimdhënësit e shkollës, të cilët kanë kundërshtuar këtë vendim.

Drejtoresha e “Petar Zdravkovski-Penko”, Mevlide Kryeziu, e ka konfirmuar riorganizimin e një paraleleje të klasës së parë në gjuhën shqipe, duke e arsyetuar me numrin e pamjaftueshëm të nxënësve që i përkasin territorit të Butelit dhe zonës së shkollës.

“Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të nxënësve që i përkasin territorit të Komunës së Butelit dhe zonës së shkollës sonë, jemi detyruar të bëjmë riorganizimin e një prej paraleleve të klasës së parë. Ky vendim është marrë në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për organizimin e procesit mësimor dhe kalimin e shkollës në mësim në një ndërrim”, deklaroi Kryeziu.

Ajo theksoi se riorganizimi nuk nënkupton mbylljen përfundimtare të mundësisë për hapjen e paraleleve të reja.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës për vitin shkollor 2024/2025, në Komunën e Butelit janë gjithsej 5.276 nxënës. Prej tyre, 2.971 janë shqiptarë, 1.741 maqedonas, 230 turq, 165 boshnjakë, 100 romë, 18 serbë dhe të tjerë.

Në këtë kontekst, çështja e regjistrimit të nxënësve nga Çairi dhe mbyllja e paraleles shqipe në “Petar Zdravkovski-Penko” ka hapur debat mbi kriteret e rajonizimit, organizimin e paraleleve dhe mundësinë e ndjekjes së mësimit në gjuhën amtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *