Rritet ndjeshëm çmimi i dizelit, nga mesnata 104,5 denarë për litër
Nga mesnata e sotme, në Maqedoninë e Veriut hyjnë në fuqi çmime të reja të derivateve të naftës, me rritje të ndjeshme të çmimit të dizelit.
Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur që Eurodizeli të shtrenjtohet për 5,5 denarë për litër dhe të arrijë çmimin prej 104,5 denarë për litër.
Në të njëjtën kohë, çmimet e benzinave ulen për 1,5 denarë. Eurosuper BS-95 do të shitet me çmim maksimal prej 99 denarë për litër, ndërsa Eurosuper BS-98 do të kushtojë 101 denarë.
Ulja më e madhe është te vaji ekstra i lehtë për djegie, i cili lirohet për 7 denarë dhe nga mesnata do të shitet për 102,5 denarë për litër.
Ndërkaq, çmimi i mazutit M-1 NS rritet për 1,835 denarë për kilogram dhe do të jetë 50,078 denarë.
Nga KRRE-ja sqarojnë se rritja e çmimeve është ndikuar nga lëvizjet në tregun botëror. Çmimet referente të derivateve kanë shënuar rritje te benzina, dizeli, vaji ekstra i lehtë dhe mazuti, ndërsa edhe kursi i denarit ndaj dollarit ka ndikuar në përllogaritjen e re.
Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, tha se Qeveria po e ndjek situatën dhe se, nëse rritja e çmimeve të karburanteve përshkallëzohet, do të ndërmerren masa për të zbutur ndikimin ndaj qytetarëve.
Bozhinovska theksoi se aktualisht është në fuqi masa për uljen e TVSH-së për dizelin nga 18 në 10 për qind, e miratuar më 13 shtator dhe që duhet të vlejë deri më 28 shtator.
Ajo nuk e përjashtoi mundësinë e masave të reja fiskale, ndërsa paralajmëroi se Qeveria në seancën e ardhshme do të shqyrtojë gjendjen dhe do të diskutojë për hapat e mëtejshëm.
Sa i përket kompanisë “Okta”, ministrja tha se aktualisht nuk po zhvillohen negociata të reja për ulje shtesë të çmimeve, por nuk e përjashtoi këtë mundësi nëse kriza përshkallëzohet.

