Ali Ahmeti për 2 Gushtin: Maqedonia e Veriut është atdheu ynë i përbashkët
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, ka theksuar rëndësinë e barazisë, respektit dhe bashkëjetesës si vlera mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja e Maqedonisë së Veriut.
“2 Gushti na rikthen te një nga idealet më fisnike të historisë sonë të përbashkët, bindja se liria nuk ndërtohet mbi epërsinë e njërit ndaj tjetrit, por mbi barazinë, respektin dhe bashkëjetesën”, ka deklaruar Ahmeti.
Sipas tij, Fryma e Krushevës ishte një thirrje për një shtet ku shqiptarët, maqedonasit dhe të gjitha bashkësitë të ndanin përgjegjësinë dhe fatin e përbashkët.
“Fatkeqësisht, pas më shumë se një shekulli, në vend që t’i afrohemi atij ideali, po largohemi prej tij. Në vend të partneritetit po rikthehet logjika e dominimit, ndërsa në vend të përfshirjes po thellohet përjashtimi”, ka thënë Ahmeti.
Ai pretendon se shqiptarët po margjinalizohen në institucionet e shtetit, administratë, diplomaci, siguri, drejtësi, arsim, kulturë, shëndetësi, ekonomi dhe në proceset vendimmarrëse që përcaktojnë të ardhmen e vendit.
Ahmeti ka vlerësuar se Marrëveshja Paqësore e Ohrit, si vazhdimësi moderne e frymës së Manifestit të Krushevës, po përballet me përpjekje të vazhdueshme për t’u zbehur.
“Sulmet ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, anulimi i mekanizmit që garantonte përfaqësim të drejtë dhe adekuat, sulmi dhe zbehja e mekanizmit për mbrojtje nga majorizimi, mosrespektimi i realitetit të regjistrimit të popullsisë, drejtësia selektive dhe promovimi i një koncepti monoetnik të shtetit janë sinjale shqetësuese për drejtimin që po merr vendi”, ka deklaruar ai.
Sipas Ahmetit, shqetësues është edhe fakti se këto politika po mundësohen me mbështetjen e disa përfaqësuesve shqiptarë, të cilët, sipas tij, në vend që të mbrojnë vullnetin dhe dinjitetin e qytetarëve që pretendojnë t’i përfaqësojnë, kanë zgjedhur nënshtrimin përballë pushtetit.
“Pa legjitimitetin e popullit dhe pa guximin për të mbrojtur interesin kombëtar, ata nuk mund të jenë zëri i barazisë”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka theksuar se orientimi i shqiptarëve nuk ka ndryshuar dhe se synimi mbetet një Maqedoni e Veriut e përbashkët, unitare, demokratike dhe evropiane.
“Ne kemi zgjedhur një Maqedoni të Veriut të përbashkët, unitare, demokratike dhe evropiane, ku askush nuk ndihet më pak se tjetri dhe ku shteti u përket njësoj të gjithë qytetarëve të tij. Kjo është rruga që na çon drejt një shteti të drejtë, të konsoliduar në NATO dhe të integruar në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Ahmeti.
Në fund të mesazhit të tij, Ahmeti ka bërë thirrje që e ardhmja të ndërtohet mbi barazinë, respektin reciprok dhe partneritetin.
“E ardhmja nuk ndërtohet me ndarje, frikë apo përjashtim. Ajo ndërtohet duke e parë këtë vend jo si pronë të njërit apo të tjetrit, por si atdheun tonë të përbashkët. Vetëm mbi barazinë, respektin reciprok dhe partneritetin e sinqertë mund të ndërtojmë një shtet të fortë dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë”, ka përfunduar Ahmeti.

