Përmirësohet gjendja epidemiologjike në Gostivar, bie ndjeshëm numri i pacientëve
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se situata epidemiologjike në Gostivar po stabilizohet, ndërsa numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore ka shënuar rënie të ndjeshme. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 36 kontrolle në Spitalin e Përgjithshëm dhe Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar, 37 më pak se një ditë më parë, kur ishin regjistruar 73 kontrolle.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në spital janë të hospitalizuar katër pacientë, ndërsa që nga fillimi i monitorimit janë realizuar gjithsej 4.483 kontrolle. Deri më tani janë dorëzuar 1.014 raportime për sëmundje infektive dhe janë përpunuar 706 anketa epidemiologjike, duke arritur një mbulim prej 70 për qind.
Kriza nisi më 17 korrik, kur përdorimi i ujit për pije në Gostivar u ndalua pasi u zbulua se ujëra të ndotura po futeshin në sistemin e ujësjellësit. Pas hetimeve, u arrestuan drejtoresha e NP “Komunalec” dhe dy punonjës të ndërmarrjes, të dyshuar për ndotjen e qëllimshme të ujit.
Analizat e publikuara nga Prokuroria treguan se uji ishte i ndotur në shkallë jashtëzakonisht të lartë me baktere koliforme dhe ndotje fekale, duke e bërë të papërshtatshëm për çdo përdorim. Pavarësisht kësaj, autoritetet shëndetësore vlerësojnë se gjendja epidemiologjike tashmë është në përmirësim dhe numri i rasteve të reja po vazhdon të bjerë.

