Kurorëzimet në hotele nën hetim: Prokuroria hap lëndë pas dyshimeve për pagesa “nën dorë”
Prokuroria Publike ka hapur lëndë pas hulumtimit të “Slloboden Peçat” për dyshimet se disa ofiqarë kanë kryer kurorëzime në restorante dhe hotele duke marrë para në dorë, ndërsa tarifa zyrtare prej 10.500 denarësh nuk është paguar në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Lajmin e ka konfirmuar Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski, transmeton Portalb.mk.
Sipas hulumtimit, në disa raste dyshohet se çiftet u kanë paguar ofiqarëve një pjesë të shumës drejtpërdrejt në dorë, ndërsa kurorëzimet janë evidentuar sikur të ishin kryer në ambientet zyrtare të Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, ku tarifa është vetëm 150 denarë.
Ndërkohë, një ofiqar tashmë është shkarkuar nga puna, ndërsa drejtori i DULA-s, Faton Fazliu, thotë se deri më tani nuk ka pasur asnjë denoncim apo ankesë zyrtare që do të mund të shërbente si bazë për procedurë disiplinore.
Fazliu ka paralajmëruar një revizion shtesë për të verifikuar nëse ka pasur shkelje të rregulloreve. Sipas procedurës zyrtare, për një kurorëzim jashtë ambienteve të DULA-s, çiftet duhet të paraqesin kërkesë dhe të paguajnë tarifën përkatëse para se të merret miratimi për kryerjen e ceremonisë.
Sa çifte janë kurorëzuar jashtë procedurave dhe sa para mund të jenë shmangur nga buxheti i shtetit pritet të zbardhet nga hetimi i Prokurorisë Publike.

