Mickoski sfidon opozitën me zgjedhje të parakohshme, opozita: Jemi gati, le të shpërndahet Kuvendi
Kryeministri Hristijan Mickoski vazhdon të lërë të hapur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke deklaruar se pushteti është i gatshëm t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave të opozitës, nëse ajo vlerëson se zgjedhjet janë të nevojshme.
Mickoski tha se koalicioni qeverisës ka marrë mandat nga qytetarët për katër vjet, por, nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, VMRO-DPMNE dhe partnerët e saj nuk do t’i shmangen përballjes elektorale.
“Nëse opozita mendon se janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme, sigurisht që ne, si frikacakë, nuk do të rrimë anash, por do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese dhe, sigurisht, do t’i fitojmë”, deklaroi Mickoski.
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, nga ana tjetër, thotë se partia e tij nuk do t’i shërbejë kryeministrit si “alibi” për shpalljen e zgjedhjeve. Sipas tij, Mickoski, duke pasur shumicë të madhe parlamentare, mund t’i caktojë vetë zgjedhjet e parakohshme.
Megjithatë, Filipçe theksoi se LSDM-ja është e gatshme për zgjedhje dhe se po përgatitet për një garë të tillë.
Ndërkohë, BDI-ja e ka pranuar menjëherë ofertën për zgjedhje të parakohshme. Nga kjo parti thonë se pikërisht këtë e kanë kërkuar, duke e cilësuar qeverinë si të paqëndrueshme.
BDI kërkon që brenda një kohe sa më të shkurtër të përcaktohet afati kushtetues për zgjedhjet, të fillojnë përgatitjet dhe të shpërndahet Kuvendi.
Edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit është shprehur e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Përgjigjja jonë është e qartë – po, jemi të gatshëm”, deklaruan nga ASH, duke kërkuar që të mos ketë taktizime, shtyrje apo kalkulime politike.
Kështu, deklarata e Mickoskit ka sjellë një përgjigje të menjëhershme nga partitë opozitare, të cilat, pavarësisht dallimeve mes tyre, shprehen të gatshme për zgjedhje. Tashmë mbetet e hapur pyetja nëse oferta e kryeministrit është një sinjal real për zgjedhje të parakohshme apo një sfidë politike ndaj opozitës.

