13 raste me ethe të Nilit Perëndimor, tre pacientë në gjendje kritike – Shkupi ndërmerr masa kundër mushkonjave

Deri më 30 korrik 2026, në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar gjithsej 13 raste me ethe të Nilit Perëndimor.

Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile aktualisht janë të hospitalizuar 10 pacientë me infeksion të konfirmuar, ndërsa tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike shëndetësore.

Për shkak të situatës epidemiologjike dhe bazuar në vlerësimin profesional të rrezikut, Ministria e Shëndetësisë ka ngarkuar Qendrën për Shëndet Publik – Shkup që të kryejë dezinsektim të jashtëzakonshëm kundër mushkonjave.

Trajtimi shtesë u realizua gjatë natës si masë parandaluese, me qëllim uljen e rrezikut të përhapjes së infeksionit.

Ethet e Nilit Perëndimor janë një infeksion viral që transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në rrezik më të madh për zhvillimin e formave të rënda të sëmundjes janë personat mbi 60 vjeç, ata me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me sëmundje kronike.

Nuk ekziston një trajtim specifik antiviral për këtë infeksion. Mjekimi fokusohet në lehtësimin e simptomave, pushimin, konsumimin e lëngjeve dhe përdorimin e barnave për temperaturën dhe dhimbjet, ndërsa rastet e rënda kërkojnë hospitalizim.

Autoritetet shëndetësore rekomandojnë mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave përmes përdorimit të repelentëve, veshjes së rrobave me mëngë dhe pantallona të gjata, vendosjes së rrjetave mbrojtëse në dritare dhe eliminimit të ujërave të ndenjura, ku mushkonjat shumohen.

Në rast të temperaturës së lartë, dhimbjeve të forta të kokës, bllokimit të qafës, konfuzionit ose dobësisë në krahë apo këmbë pas pickimit nga mushkonja, qytetarët këshillohen të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *