11 raste të reja me HIV/AIDS në korrik, 9 prej tyre meshkuj
Gjatë muajit korrik në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 11 raste të reja me HIV/AIDS, prej të cilave nëntë janë persona të gjinisë mashkullore dhe dy të gjinisë femërore, të moshës nga 20 deri në 49 vjeç. Të dhënat janë publikuar në buletinin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për ecurinë e sëmundjeve akute infektive.
Sipas ISHP-së, në periudhën 1987–2026, në vend janë regjistruar gjithsej 765 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 141 kanë ndërruar jetë, 508 jetojnë me HIV/AIDS, ndërsa 116 persona konsiderohen të humbur për ndjekje.
Në korrik janë evidentuar edhe raste të tjera të infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe përmes gjakut: shtatë raste me sifiliz, katër me hepatit viral B, si dhe nga një rast me gonorre, klamidia dhe hepatit viral C.
Gjatë vitit 2025, në vend ishin regjistruar 38 raste të reja me HIV/AIDS, përkatësisht 2,1 raste për 100 mijë banorë. Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, ku në vitin 2024 janë regjistruar mesatarisht 5,3 raste të reja për 100 mijë banorë, incidenca në Maqedoninë e Veriut mbetet më e ulët. Po ashtu, në vitin 2025 është shënuar rënie e rasteve të reja krahasuar me vitin paraprak.
ISHP-ja së fundmi u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë verës të tregojnë kujdes dhe të marrin masa mbrojtëse ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Instituti thekson rëndësinë e testimit në kohë, trajtimit adekuat dhe masave parandaluese, ndërsa paralajmëron që antibiotikët dhe barnat e tjera të mos përdoren pa rekomandimin e mjekut.
Sipas ISHP-së, trajtimi i papërshtatshëm mund të çojë në komplikime dhe rezistencë ndaj barnave. Instituti rikujton gjithashtu rëndësinë e vaksinimit, duke theksuar se ekzistojnë vaksina efektive kundër HPV-së dhe hepatitit B, si dhe nevojën për komunikim të hapur me partnerin dhe sjellje të përgjegjshme seksuale.
Koordinatorja Kombëtare për HIV, Milena Stevanoviq, ka theksuar se testimi në kohë është një nga mjetet kryesore për arritjen e objektivit për eliminimin e HIV-it deri në vitin 2030. Zbulimi i hershëm mundëson fillimin e menjëhershëm të terapisë dhe ndihmon në parandalimin e transmetimit të mëtejshëm të virusit.
Në nivel global, HIV-i vazhdon të jetë i pranishëm në të gjitha vendet. Sipas vlerësimeve, në fund të vitit 2024 në botë jetonin rreth 40,8 milionë njerëz me HIV, ndërsa rreth 65 për qind e tyre ndodheshin në rajonin afrikan të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

