Mickoski: Nuk planifikohet rritje e çmimit të rrymës, po shqyrtojmë mundësinë për ulje ose zgjerim të tarifës së lirë


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Qeveria nuk po shqyrton rritjen e çmimit të energjisë elektrike, por po përgatit një plan për të ulur çmimin ose për të zgjeruar tarifën e lirë për qytetarët.

Sipas tij, ndryshe nga shumë vende evropiane që po përballen me presione për rritjen e çmimeve të energjisë, Maqedonia e Veriut po menaxhon me sukses sfidat në sektorin energjetik, përfshirë ndikimin e krizës në Gjirin Persik dhe situatën me nivelin e lumit Danub.

Mickoski theksoi se politika e Qeverisë është të punojë me masa konkrete dhe jo të krijojë panik, duke shtuar se rezervuarët janë rreth 70 për qind të mbushur dhe vendi ka të akumuluara afro 500 gigavat-orë energji elektrike.

“Kjo është plotësisht e mjaftueshme që të ndihemi të sigurt dhe të mos kemi sfida në furnizimin me energji elektrike për qytetarët dhe industrinë”, tha Mickoski.

Ai njoftoi se po realizohen edhe investime të mëdha në sektorin energjetik, duke veçuar parkun me erë të kompanisë “Alcazar” në komunat Shtip, Karbincë dhe Radovish, investim me vlerë rreth 500 milionë dollarë që do të zbatohet në tri faza.

Kryeministri shtoi se Qeveria po përgatit një strategji afatgjatë për sektorin energjetik për dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa sfidat e trashëguara nga e kaluara, sipas tij, po adresohen gradualisht.

Duke folur edhe për çmimet e karburanteve, Mickoski tha se Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë çmime më të ulëta krahasuar me vendet fqinje, ndërsa theksoi se kriza globale energjetike, e ndikuar nga tensionet në Gjirin Persik dhe konflikti me Iranin, vazhdon të ushtrojë presion mbi tregjet energjetike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *