Bekim Sali nga Samiti i Ukrainës: Maqedonia e Veriut mbetet e palëkundur në mbështetje të Ukrainës
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në sesionin plenar të Samitit të Ukrainës dhe Evropës Juglindore, të organizuar me rastin e Ditës së Shtetësisë së Ukrainës. Në fjalën e tij, ai riafirmoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Sali theksoi se, që nga fillimi i agresionit rus, Maqedonia e Veriut i ka ofruar Ukrainës mbështetje politike, humanitare, ushtarake dhe teknike, duke shtuar se kjo mbështetje do të vazhdojë në koordinim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe aleatët euroatlantikë.
Ai vlerësoi se bashkëpunimi mes Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore është kyç për forcimin e stabilitetit rajonal, mbështetjen e rimëkëmbjes së Ukrainës dhe ndërtimin e një Evrope më të sigurt dhe më të bashkuar.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, Sali u shpreh se Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndajë përvojën dhe ekspertizën e saj me Ukrainën, për ta mbështetur në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

