BE-ja jep grant prej 149 milionë eurosh për fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, punimet pritet të nisin këtë vit
Faza e tretë e hekurudhës së Korridorit 8 drejt Bullgarisë do të ndërtohet me një grant prej 149 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, ndërsa projekti do të mbështetet edhe me 175 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Marrëveshjet për financimin e segmentit 22-kilometërsh nga Kriva Pallanka deri te kufiri me Bullgarinë u nënshkruan sot në Qeveri. Ky segment përfshin edhe tunelin hekurudhor ndërkufitar, i cili do të lidhë rrjetet hekurudhore të dy vendeve.
Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë, Sinisha Ivanovski, e cilësoi projektin si më kompleksin teknik dhe infrastrukturor në vend në dekadat e fundit. Sipas tij, linja do të jetë njëdrejtimëshe dhe do të shërbejë për transportin e udhëtarëve dhe mallrave, ndërsa në vetëm 22 kilometra do të ndërtohen 21 tunele me gjatësi të përgjithshme prej 7.8 kilometrash.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, tha se është arritur marrëveshje me Bullgarinë për ndërtimin e tunelit ndërkufitar, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se tuneli do të vazhdojë edhe në territorin bullgar, duke shmangur rrezikun që projekti të mbetet i papërfunduar.
Sipas Nikolloskit, tenderi për përzgjedhjen e kompanisë ndërtuese do të shpallet në periudhën e ardhshme, ndërsa punimet pritet të nisin deri në fund të këtij viti.
Ky projekt vjen pasi Maqedonia e Veriut humbi grantin e mëparshëm nga fondet IPA për këtë segment, për shkak se kontrata për ndërtim nuk u nënshkrua brenda afatit të paraparë. Për të vazhduar realizimin e projektit, Qeveria ndryshoi modelin e financimit dhe zbatimit, pa ndryshuar vlerën e kredive të siguruara nga BERZH-i dhe BEI-ja.
Korridori 8 konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme të transportit trans-evropian me rëndësi strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike për Ballkanin dhe Evropën. Faza e parë nga Kumanova deri në Bellakovc është vënë në funksion në janar të vitit 2025, ndërsa faza e dytë deri në Kriva Pallankë është ende në ndërtim.

