Aktakuza për Lotarinë Shtetërore: Tetë të akuzuar për mbi 8.2 milionë euro dëm, më 24 gusht nis gjykimi
Pas hetimeve dhe bujës së madhe që shkaktoi rasti i Lotarisë Shtetërore, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar. Mes të akuzuarve janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, si dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit gjatë viteve 2023 dhe 2024 kanë ndërmarrë veprime jashtë kompetencave të tyre, me të cilat Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm prej 507.6 milionë denarësh, apo mbi 8.2 milionë euro.
Në aktakuzë pretendohet se të akuzuarit kanë mundësuar nisjen e procedurës për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe prokurimin e terminaleve të videolotarive, edhe pse, sipas Prokurorisë, Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë ta ushtronte këtë veprimtari në mënyrë të pavarur.
Prokuroria pretendon se procedura është zhvilluar në kundërshtim me kompetencat ligjore dhe se, përmes vendimeve të marra, janë krijuar detyrime financiare që kanë dëmtuar shoqërinë shtetërore.
Në fokus të aktakuzës është edhe mënyra se si informacioni për organizimin e lojërave elektronike të fatit është futur në rendin e ditës së Qeverisë. Sipas Prokurorisë, vendimi është marrë nga organi që nuk kishte kompetencë për një çështje të tillë, ndërsa më pas Bordi Mbikëqyrës i Lotarisë ka miratuar fillimin e procedurës së prokurimit.
Gjykimi do të nisë më 24 gusht, në orën 10:00. Lënda, përmes sistemit të shpërndarjes automatike, i është caktuar gjyqtares Biljana Shuplinovska-Jovevski.
Për Artan Grubin është propozuar vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak, së bashku me masat e tjera të kujdesit, përfshirë marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e kalimit të kufirit. Për të akuzuarit e tjerë janë propozuar masa kujdesi, përfshirë paraqitjen periodike në gjykatë dhe kufizime në kontaktet me persona të caktuar.
Rasti riktheu në qendër të vëmendjes edhe arratisjen e disa prej të dyshuarve gjatë fazës së hetimit, duke nxitur reagime të forta në opinion dhe debate për përgjegjësinë institucionale.
Nga BDI-ja opozitare reaguan duke e cilësuar aktakuzën si të motivuar politikisht. Sipas tyre, bëhet fjalë për një vendim kolektiv, ndaj kërkojnë të bëhen publike provat mbi të cilat është ngritur përgjegjësia individuale.
BDI-ja thotë se e respekton pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por kërkon drejtësi të barabartë dhe joselektive, si dhe transparencë e mbikëqyrje ndërkombëtare në këtë rast.
Aktakuza tashmë e çon rastin në fazën gjyqësore, ku gjykata duhet të vlerësojë provat dhe përgjegjësinë individuale të secilit prej tetë të akuzuarve.

