Komisioni nuk mbështet pagën minimale 600 euro, Filipçe: Të shkurtohen lukset dhe udhëtimet
Komisioni për Çështje Ekonomike nuk e mbështeti propozimin e LSDM-së për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Për projektligjin e opozitës nuk votuan deputetët e pushtetit, ndërsa nga VMRO-DPMNE nuk pati reagim dhe asnjë nga deputetët e tyre nuk mori fjalën gjatë shqyrtimit.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se rritja e pagës minimale është e nevojshme për shkak të rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës. Sipas tij, mjetet për këtë rritje mund të sigurohen përmes shkurtimit të shpenzimeve për udhëtime, luks, mobilie dhe automjete.
“Janë bërë përllogaritje, u treguam në konferencën e kaluar për shtyp se nga mund t’i gjejnë paratë. Le të shkurtojnë lukset, udhëtimet, mobiliet dhe veturat dhe paratë në Buxhet mund të gjenden.”tha Filipçe.
Paga minimale aktualisht është 26 mijë denarë, ndërsa paga mesatare është rreth 48 mijë e 500 denarë. Filipçe kërkoi gjithashtu që shteti të mbështesë kompanitë përmes subvencionimit të kontributeve, në mënyrë që rritja e pagave të mos rëndojë mbi sektorin privat.
Projektligji i LSDM-së për pagë minimale prej 600 eurosh është refuzuar për herë të dytë që në shqyrtimin në komision.

