LSDM kërkon publikimin e analizave të ujit në Gostivar: “Nuk mjaftojnë më deklaratat”
LSDM-ja kërkoi nga Qeveria që menjëherë të publikojë raportin e plotë dhe analizat laboratorike që kanë çuar në vendimin për rikthimin e ujit të pijshëm në Gostivar.
Nga partia opozitare thonë se, pas krizës së ujit dhe informacioneve kontradiktore të dhëna gjatë javëve të fundit, qytetarët duhet të kenë qasje në dokumentet zyrtare dhe jo vetëm në deklaratat e institucioneve.
“Për shëndetin e qytetarëve duhet të ekzistojë një dokument, analizë profesionale, përgjegjësi institucionale dhe nënshkrim”, thonë nga LSDM-ja, duke pyetur se cilat janë rezultatet e analizave, cili institucion i ka kryer, kush e ka nënshkruar raportin dhe kush e ka miratuar përdorimin e ujit.
LSDM-ja thekson se, pas raportimeve për mijëra qytetarë me probleme shëndetësore dhe pas informacioneve të ndryshme nga institucionet, “nuk ka më hapësirë për sigurime gojore”.
Kërkesa e opozitës vjen vetëm disa orë pasi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, njoftoi se uji nga ujësjellësi i Gostivarit është sërish i sigurt për pije dhe për përgatitjen e ushqimit, pas rezultateve të fundit laboratorike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik.
Kriza me ujin në Gostivar nisi më 17 korrik, kur AUV-ja ndaloi përdorimin e ujit për pije pasi u zbuluan pompa që injektonin drejtpërdrejt ujëra të zeza në sistemin e furnizimit me ujë. Masat u ndërmorën pasi u regjistrua një numër i shtuar i qytetarëve me probleme gastrointestinale.
Më 20 korrik u ndaluan drejtoresha e NP “Komunalec” dhe dy punonjës të tjerë, ndaj të cilëve u iniciua procedurë hetimore për ndotjen e ujit. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar vendosjen e tre pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së sistemit të ujit të pijshëm.
Rezultatet e analizave të publikuara më vonë nga Prokuroria treguan ndotje të rëndë të ujit. Në mostrat e marra u konstatuan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat nga burimi i ujit u gjetën gjithashtu baktere koliforme në nivel prej 39 cfu/100 ml, ndërsa standardi parashikon 0 cfu/100 ml.
Tani, pas heqjes së ndalesës për përdorimin e ujit, LSDM-ja kërkon që rezultatet e reja laboratorike të bëhen publike dhe qytetarët të kenë të qartë mbi bazën e cilave analiza është marrë vendimi se uji është i sigurt.

