Pas gati një muaji, Gostivari sërish ka ujë të pijshëm nga çezmat
Pas gati një muaji ndalesë, banorët e Gostivarit nga sot mund ta përdorin sërish ujin e rubinetit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit.
Lajmin e bëri të ditur kreu i Shtabit për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov, gjatë një konference për media në Gostivar. Ai theksoi se ndalesa për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i qytetit është hequr zyrtarisht.
“Që nga sot, uji në Gostivar është i sigurt për t’u pirë”, deklaroi Angellov.
Edhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, konfirmoi se rezultatet e fundit laboratorike, të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, kanë treguar se uji i ujësjellësit të Gostivarit është i sigurt për konsum.
Sipas Milanovit, analizat e fundit kanë konfirmuar se uji është mikrobiologjikisht dhe bakteriologjikisht i rregullt, duke u plotësuar kështu kushtet për përdorimin e tij pa kufizime.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, para përdorimit, ta lënë ujin të rrjedhë mirë nga rubinetat.

