Ethet e Nilit Perëndimor marrin jetën e pacientit të dytë në Maqedoninë e Veriut

Një pacient 72-vjeçar ka ndërruar jetë në Maqedoninë e Veriut si pasojë e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor, duke shënuar rastin e dytë fatal këtë sezon.

Pacienti po trajtohej në Klinikën Infektive në Shkup dhe kishte edhe sëmundje shoqëruese. Gjatë fundjavës, nga kjo sëmundje ndërroi jetë edhe një pacient 83-vjeçar.

Aktualisht, në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 19 pacientë me infeksion të konfirmuar laboratorikisht me virusin e Nilit Perëndimor. Të gjithë pacientët janë mbi 60 vjeç.

Vetëm gjatë kësaj jave janë regjistruar shtatë raste të reja me infeksion nga virusi i Nilit Perëndimor. Të gjitha rastet janë nga Shkupi: dy nga Kisella Voda, dy nga Gazi Baba dhe nga një rast në Ilinden, Butel dhe Aerodrom.

Ethet e Nilit Perëndimor janë sëmundje virale që transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Rreziku për zhvillimin e formave të rënda është më i lartë te personat mbi 60 vjeç, personat me imunitet të dobësuar dhe ata me sëmundje kronike.

Nuk ekziston një terapi specifike antivirale për këtë infeksion. Trajtimi synon lehtësimin e simptomave, përfshirë temperaturën dhe dhimbjet, ndërsa në rastet e rënda nevojitet hospitalizim.

Autoritetet rekomandojnë mbrojtje nga pickimet e mushkonjave përmes përdorimit të repelentëve, veshjeve me mëngë dhe pantallona të gjata, rrjetave mbrojtëse në dritare dhe eliminimit të ujit të ndenjur, ku mushkonjat shumohen.

Në rast të temperaturës së lartë, dhimbjes së fortë të kokës, ngurtësimit të qafës, konfuzionit apo dobësisë në gjymtyrë, rekomandohet kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *