Pas helmimit të mijëra qytetarëve, ISHP-ja kërkon kontrolle të rrepta në ujësjellësin e Gostivarit
Një muaj pas krizës së ujit të ndotur që shkaktoi helmimin e mijëra banorëve të Gostivarit, Instituti i Shëndetit Publik ka kërkuar masa shtesë për forcimin e sigurisë së ujësjellësit të qytetit. Në rekomandimet drejtuar NP „Komunalec“, ISHP-ja kërkon të verifikohet nëse personeli që punon në pikat kritike të sistemit ka përgatitjen profesionale dhe njohuritë e nevojshme për sigurinë e ujit.
Instituti kërkon që punonjësit të trajnohen në mënyrë të vazhdueshme dhe t’u nënshtrohen rregullisht kontrolleve shëndetësore dhe higjienike. Një nga masat kryesore është edhe monitorimi i vazhdueshëm i nivelit të klorit, nga burimi deri te konsumatorët, si dhe vendosja e një sistemi të automatizuar për matjen dhe regjistrimin e parametrave të dezinfektimit.
ISHP-ja rekomandon gjithashtu kontrolle më të shpeshta të rrjetit të ujësjellësit, identifikimin e zonave ku mund të ketë ndryshime të nivelit të klorit, kontrollimin e rrjedhjeve dhe lidhjeve të paligjshme, si dhe vlerësimin teknik të stacionit të filtrimit. Instituti kërkon që edhe sistemi i klorinimit dhe pajisjet për trajtimin e gazit të klorit të jenë në përputhje të plotë me standardet e sigurisë.
Edhe pse që nga 14 gushti uji i ujësjellësit të Gostivarit është shpallur i sigurt për pije, ISHP-ja vlerëson se nevojiten masa të vazhdueshme për të parandaluar përsëritjen e një krize të ngjashme. Ndërkohë, LSDM-ja ka kërkuar publikimin e plotë të analizave të ujit dhe ka ngritur kallëzim penal ndaj ministrit të Shëndetësisë dhe disa drejtuesve të institucioneve shëndetësore, duke i akuzuar për lëshime gjatë krizës.

