BDI kritikon financimin e festimeve nga Lotaria, Antikorrupsioni hap lëndë
Dega e BDI-së në Tetovë ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth shënimit të 35-vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, duke kritikuar mënyrën e financimit të aktiviteteve dhe veçanërisht përdorimin e mjeteve të Lotarisë Shtetërore.
Nga BDI-ja akuzojnë VLEN-in se, ndërsa ishte në opozitë, kishte ngritur luftën kundër bixhozit në kauzë politike dhe ishte zotuar se nuk do të merrte pjesë në Lotarinë Shtetërore dhe nuk do të shfrytëzonte mjete nga ky institucion.
“Në opozitë, VLEN-i e ngriti luftën kundër bixhozit në kauzë morale. U zotua se nuk do të marrë pjesë në Lotarinë Shtetërore, e as që do të shfrytëzojë mjete nga Lotaria. Sot, po e bën të kundërtën. Sot, duke qenë pa legjitimitet në qeveri, feston përmes manifestimeve të financuara nga Lotaria. A ndryshoi burimi i parave, apo ndryshoi morali juaj sapo morët pushtetin?”, pyesin nga BDI-ja.
Sipas tyre, manifestimet kushtojnë 5.53 milionë euro, ndërsa kritikojnë edhe faktin që aktivitetet në Tetovë janë planifikuar një javë më vonë, duke e cilësuar këtë si vazhdimësi të, siç thonë, politikës së përjashtimit dhe margjinalizimit të shqiptarëve.
Në ndërkohë, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, me iniciativën e vet, ka vendosur të hapë lëndë pas njoftimeve publike lidhur me mënyrën e financimit të festimit të 35-vjetorit të Pavarësisë.
Qeveria, më 28 prill, vendosi që organizimin e festimeve t’ia besojë Lotarisë Shtetërore. Dy ditë më vonë, Lotaria publikoi thirrje për mbledhjen e ofertave, e cila zgjati vetëm pesë ditë pune.
Në thirrje ishin përcaktuar edhe kërkesa konkrete, përfshirë angazhimin e një artisti botëror të klasës A dhe organizimin e një koncerti me pjesëmarrje të të paktën 30 mijë personave. Sipas Lotarisë Shtetërore, ofertën e vetme e dorëzoi kompania “Stardust”, e lidhur me Avalon.
Mënyra e financimit ka ngritur pikëpyetje në opinion, veçanërisht për shkak të mungesës së të dhënave të plota lidhur me vlerën e kontratave dhe shpenzimeve.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se festimet, përfshirë performancën e yllit botëror David Guetta, nuk i kanë kushtuar asnjë denar buxhetit dhe qytetarëve. Nga Lotaria Shtetërore, ndërkohë, për shumën e mjeteve kanë drejtuar pyetjet te Qeveria.
Dokumentet e bëra publike tregojnë se organizimi është realizuar përmes Lotarisë Shtetërore dhe në kuadër të Ligjit për Sponsorizime dhe Donacione.
Tashmë, çështja është në procedurë pranë Komisionit Antikorrupsion, i cili pritet të shqyrtojë mënyrën e financimit dhe procedurat e ndjekura për organizimin e festimeve.

