ASH kërkon paralele shqipe në Idrizovë: “Fëmijët shqiptarë kërkojnë të drejtën për të mësuar në gjuhën e tyre”

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria që në shkollën fillore “Njegosh” në Idrizovë të hapen paralele në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Sipas ASH-së, nxënësit shqiptarë aktualisht mund ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe vetëm deri në klasën e pestë, ndërsa më pas detyrohen të vazhdojnë arsimin në komuna të tjera.

Partia e cilëson këtë situatë si të papranueshme dhe kërkon që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e problemit, duke iu referuar edhe deklaratave të ministres së Arsimit, Vesna Janevska, për rëndësinë e arsimimit në gjuhën amtare.

ASH-ja kërkon përgjegjësi edhe nga VLEN-i, duke theksuar se kjo koalicion hyri në Qeveri me premtime për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe se në Ministrinë e Arsimit ka edhe zëvendësministër shqiptar.

“Fëmijët e Idrizovës nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë një të drejtë që u takon”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Kjo nuk është hera e parë që çështja e arsimit në gjuhën shqipe përballet me pengesa. Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Çashkë, ku vazhdon problemi me hapjen e paraleles në gjuhën shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *