Osmani godet VLEN-in: “Një projekt maqedonas merr firmën shqiptare”
Ish-ministri i Jashtëm dhe një nga figurat drejtuese të BDI-së, Bujar Osmani, ka kritikuar ashpër koalicionin VLEN, duke e cilësuar atë si një projekt politik të fragmentuar dhe të varur nga VMRO-DPMNE-ja. Në një status, Osmani pretendon se VLEN-i sot shërben si “instrument institucional” përmes të cilit, sipas tij, një projekt maqedonas merr “firmën shqiptare”.
Osmani argumenton se koalicioni është krijuar pa një doktrinë të përbashkët politike, pa hierarki të brendshme dhe pa një qendër autonome vendimmarrjeje. Sipas tij, pas largimit të BDI-së nga pushteti, VMRO-DPMNE-ja është shndërruar në forcën që arbitron marrëdhëniet mes komponentëve të VLEN-it.
Ai e përshkruan këtë situatë si “kontroll përmes fragmentimit”, duke pretenduar se subjektet brenda VLEN-it kanë krijuar marrëdhënie më të forta me VMRO-DPMNE-në sesa me partnerët e tyre brenda koalicionit.
Në pjesën më të ashpër të statusit, Osmani pretendon se prania e kuadrove shqiptarë në Qeveri shërben për t’i dhënë pamje multietnike politikave që, sipas tij, kanë një bosht konceptual maqedonas.
“Sot, VLEN-i shërben si instrument institucional përmes të cilit një projekt maqedonas merr firmën shqiptare”, shkruan Osmani.

