37 zjarre në 24 orë, tre ende aktive – situata më kritike në Prilep dhe Studeniçan
Gjatë 24 orëve të fundit, deri në orën 07:30 të mëngjesit, në territorin e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 37 zjarre në hapësira të hapura, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK). Prej tyre, tre janë ende aktive, një është nën kontroll, ndërsa 33 janë shuar.
Një nga zjarret aktive është ai pranë fshatit Çanishta në rajonin e Prilepit, i cili dje pasdite u përhap në dy drejtime, drejt fshatrave Zoviq dhe Krushevicë. Flakët përfshinë kryesisht bimësi të ulët, ndërsa vija e zjarrit shtrihej për disa kilometra mes dy fshatrave.
Në operacionin për shuarjen e tij u angazhuan ekipe zjarrfikëse nga disa qytete. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, informoi mbrëmë se zjarrfikësit arritën ta ndalonin përhapjen e zjarrit dhe ta tërhiqnin nën rrugë, duke ulur rrezikun për fshatin Krushevicë.
Aktiv mbetet edhe zjarri në territorin e Komunës së Studeniçanit, në zonën mes fshatrave Morane, Vrtekicë dhe Ramni Gaber, ku po digjet pyll i përzier.
Zjarri i tretë aktiv është në afërsi të Vidushit dhe fshatrave Dragov Dol e Lokvicë, në territorin e Komunës së Makedonski Brodit. Atje flakët kanë përfshirë bimësi të ulët, shkurre dhe kaçube.
Ndërkohë, zjarri në deponinë e Dellçevës, i cili ka zgjatur prej disa ditësh, është vënë nën kontroll.
Nga 33 zjarret e shuara, disa janë regjistruar në Gjorçe Petrov, Saraj, Shtip, Dollnen, Kërçovë dhe Gostivar, ndërsa zjarre janë shuar edhe në Aerodrom, Haraçinë, Mogillë, Novaci, Radovish, Strumicë, Çashkë, Veles, Zelenikovë, Vinicë, Koçan, Likovë, Kratovë, Staro Nagoriçan, Rankovcë, Brvenicë, Tetovë dhe Jegunovcë.
QMK-ja u ka bërë apel qytetarëve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të mos përdorin zjarr në ambiente të hapura. Në rast se vërehet zjarr, qytetarët duhet ta raportojnë menjëherë në 112.
Qeveria ka shpallur gjendje krize në të gjithë territorin e vendit deri në fund të gushtit, për shkak të rritjes së rrezikut nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Paralelisht, Instituti i Shëndetit Publik ka rekomanduar masa mbrojtëse për qytetarët për shkak të temperaturave të larta.

