ASH: 40% e të papunëve janë shqiptarë, ndërsa VLEN krenohet me 2 mijë punësime
Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka kritikuar koalicionin VLEN për politikat e punësimit, duke u thirrur në Analizën Ekonomike të Portalb.mk, sipas së cilës mbi 40 për qind e të papunëve në vend janë shqiptarë.
Nga ASH thonë se situata është edhe më paradoksale, pasi mbi 60 për qind e punëdhënësve deklarojnë se kanë nevojë për punëtorë, ndërsa në vend ka më shumë se 10 mijë vende të lira pune. Në të njëjtën kohë, Qeveria ka hapur kuota për punësimin e rreth 10 mijë punëtorëve të huaj.
“35.757 shqiptarë figurojnë si të papunë aktivë. Plot 40,3% e të gjithë të papunëve në vend janë shqiptarë. Në të njëjtën kohë, mbi 60% e punëdhënësve thonë se kanë nevojë për punëtorë, ka mbi 10 mijë vende të lira pune, ndërsa Qeveria hap kuota për 10 mijë punëtorë nga jashtë”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Partia opozitare pyet se ku është VLEN në këtë situatë, duke kritikuar mënyrën se si koalicioni i paraqet punësimet si sukses të qeverisjes.
“VLEN krenohet me rreth 2.000 punësime dhe avancime, ndërsa Mickoski flet për 17.000 vende të reja pune. Edhe këtë shifër modeste e fryjnë duke i futur bashkë punësimet dhe avancimet”, thuhet në reagim.
Sipas ASH-së, ndërkohë vazhdon emigrimi i shqiptarëve drejt vendeve evropiane, veçanërisht Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë.
“Kur 40% e të papunëve janë shqiptarë, ndërsa pushteti shqiptar krenohet me thërrime, shpërngulja nuk duhet të habisë askënd”, theksojnë nga ASH.
Nga partia akuzojnë VLEN-in se nuk po krijon perspektivë për të rinjtë shqiptarë dhe se është fokusuar më shumë në pozitat e pushtetit sesa në zgjidhjen e problemeve ekonomike.
“Maqedonia po importon punëtorë. Shqiptarët po eksportojnë fëmijët e tyre. Dhe VLEN vazhdon të numërojë funksionet e veta si sukses”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Në fund, ASH e cilëson këtë si bilancin e qeverisjes së VLEN-it: “Më shumë pushtet për VLEN-in, më pak shqiptarë në vend.”
Reagimi i ASH-së vjen pas publikimit të Analizës Ekonomike të Portalb.mk, sipas së cilës, nga numri i përgjithshëm i të papunëve – punëkërkues aktivë – 35.757 janë shqiptarë, që përbëjnë 40,3 për qind të totalit.
Maqedonasit përbëjnë grupin e dytë më të madh me 33.679 të papunë, ose 38 për qind, ndërsa romët janë të tretët me 10.008 persona, që përbëjnë 11,3 për qind. Pas tyre renditen turqit me 6.564 të papunë, ose 7,4 për qind.
Pjesëtarët e bashkësive të tjera etnike, si dhe personat që nuk janë deklaruar sipas përkatësisë etnike, përbëjnë më pak se 1,8 për qind të numrit të përgjithshëm të të papunëve.

