Toshkovski: Fillon hiperklorinimi i ujësjellësit në Gostivar, Qeveria shpall gjendje krize
Qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore në Komunën e Gostivarit për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm, ndërsa autoritetet kanë nisur masat për rikthimin e sistemit të ujësjellësit në funksion normal.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad”, bëri të ditur se hapi i parë do të jetë hiperklorinimi i sistemit të ujësjellësit.
“Informacioni fillestar që kam marrë nga ekspertët është se duhet të ndërmerret hiperklorinimi i sistemit, i cili brenda një periudhe të shkurtër duhet ta rikthejë rrjetin në gjendje normale, fillimisht për përdorim teknik dhe më pas edhe si ujë të pijshëm”, deklaroi Toshkovski.
Ai njoftoi se, menjëherë pas shpalljes së gjendjes së krizës, ka kërkuar nga Qyteti i Shkupit dërgimin e ekipeve të specializuara të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi”, të cilat do të vlerësojnë gjendjen në terren dhe do të propozojnë masat për rikthimin e cilësisë së ujit.
Sipas Toshkovskit, rezultatet e analizave dhe plani i veprimit pritet të prezantohen gjatë ditës së nesërme.
Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se të dhënat e fundit tregojnë rënie të numrit të rasteve të reja me simptoma gastrointestinale.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit gjatë ditës së fundit janë regjistruar 183 kontrolle, ndërsa në Shtëpinë e Shëndetit 110 kontrolle dhe 25 thirrje në Ndihmën e Shpejtë. Sipas tij, numri i pacientëve në spital është ulur me 38 për qind krahasuar me 19 korrikun.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike vazhdon hetimet për ndotjen e ujit. Nën hetim janë drejtoresha e NP “Komunalec”, Artana Asani, udhëheqësi teknik Leon Nuredini dhe përgjegjësi i ujësjellësit Vadedin Dauti, të cilëve Gjykata u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas hetimeve, pompat e vendosura në një kanal të hapur kanë transportuar ujë të ndotur drejt sistemit të ujit të pijshëm. Analizat e Institutit të Shëndetit Publik kanë konstatuar prani të baktereve koliforme dhe fekale, me nivele rreth 48 herë mbi kufirin e lejuar, si dhe përqendrim të klorit mbi normat e përcaktuara.
Prokuroria thekson se procedura është ende në fazën fillestare dhe nuk përjashtohet zgjerimi i hetimeve edhe ndaj personave apo institucioneve të tjera, nëse sigurohen prova për përgjegjësi në këtë rast.

