Ademi: Pseudo-nacionalistët të ikin pas Vuçiqit, nuk e lexojnë Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut
Mevlan Ademi, një nga iniciatorët e kërkesës për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, se përderisa partia e tij është pjesë e Qeverisë, provimi do të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase.
Ademi i ka cilësuar politikanët që kundërshtojnë këtë kërkesë si “pseudo-nacionalistë”, duke i akuzuar se nuk e njohin Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
“Ka ardhur koha që politikanët e kastës së vjetër, pseudo-nacionalistët, të ikin pas shokut të tyre Vuçiq! Nuk e di a e lexojnë ende Kushtetutën e Jugosllavisë, por një gjë është e sigurt, definitivisht nuk e lexojnë Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut!”, ka shkruar Ademi.
Reagimi vjen pas deklaratës së Dimitrievskit në Koçan, ku ai ritheksoi se ZNAM nuk do të ndryshojë qëndrimin për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën maqedonase.

