ALTA Banka nis të enjten tërheqjen e parave në sportele, deri në 20 mijë denarë për klientët pa kartela
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se nga e enjtja, 5 nëntor, qytetarët që kanë llogari pagese në ALTA Bankën në Manastir, por nuk posedojnë kartela bankare, do të mund të tërheqin para në sportelet e filialit kryesor të bankës.
Për këtë qëllim, në adresën në rrugën “Dobrivoje Radosavleviq” nr. 21 në Manastir do të hapen disa sportele, ku qytetarët, veçanërisht pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale, do të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë, shumë kjo e lejuar për një periudhë dyjavore.
Nga 6 nëntori, përfshirë edhe të shtunën, më 7 nëntor, filiali do të punojë në dy ndërrime për të mundësuar shërbimin e një numri më të madh klientësh.
Pagesat do të realizohen sipas një orari të përcaktuar, për të cilin qytetarët do të njoftohen përmes SMS-mesazheve, ku do të informohen për ditën dhe orën e paraqitjes. Për ata që nuk do të mund të paraqiten në terminin e caktuar, do të sigurohen termine shtesë.
Banka Popullore u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë oraret e përcaktuara dhe të mos paraqiten pa ftesë, me qëllim shmangien e turmave dhe pritjeve të gjata. Në sportele do të mund të kryhen vetëm tërheqje të parave të gatshme, ndërsa transaksionet e tjera nuk do të jenë të mundshme.
Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se po përgatitet hapja e sporteleve për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale edhe në qytete të tjera të vendit.
Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan vendimin e Bankës Popullore të Serbisë për revokimin e licencës së bankës amë. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi ALTA Bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për një periudhë tre mujore, duke caktuar tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, ndërsa rreth 3.500 prej tyre nuk kanë kartela bankare. Ndër mundësitë për zgjidhjen e situatës është edhe gjetja e një investitori të ri.

