25 vite nga Marrëveshja e Ohrit. BDI dhe VLEN përplasen për trashëgiminë e vitit 2001

25 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dokumentit që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe vendosi themelet e një modeli të ri të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, përplasja politike mes BDI-së dhe VLEN-it vazhdon.

Në ditën kur vendi shënon përvjetorin e marrëveshjes, dy blloqet politike shqiptare e shohin trashëgiminë e saj nga pozicione krejtësisht të kundërta.

BDI-ja opozitare akuzon pushtetin se po i zhbën të arriturat e Ohrit. Nga kjo parti thonë se, në vend që parimet e marrëveshjes të konsolidohen, ato po dobësohen njëra pas tjetrës.

BDI përmend si shqetësime përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, përdorimin e gjuhës shqipe, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe, siç thonë, dobësimin e legjitimitetit politik të shqiptarëve.

Sipas tyre, problem mbetet edhe mënyra e përllogaritjes së popullsisë, ndërsa kritikojnë edhe ndryshimet e emërtimeve të rrugëve dhe shesheve, të cilat i konsiderojnë pjesë të realitetit shumëetnik të vendit.

VLEN-i, nga ana tjetër, e kthen përgjegjësinë te BDI-ja. Nga pushteti akuzojnë partinë opozitare se e ka shndërruar Marrëveshjen e Ohrit në mjet për pushtet dhe përfitim personal.

Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë private e BDI-së”, deklarojnë nga VLEN, duke e akuzuar ish-pushtetin për një varg rastesh dhe skandalesh që, sipas tyre, kanë shoqëruar qeverisjen e gjatë të BDI-së.

Përplasja politike vjen në një përvjetor simbolik, por edhe në një moment kur në vend vazhdon debati nëse Marrëveshja e Ohrit është zbatuar plotësisht dhe nëse parimet e saj vazhdojnë të garantohen në praktikë.

Nga tensionet ndëretnike te Marrëveshja e Ohrit

Marrëveshja u nënshkrua më 13 gusht 2001, pas muajsh konflikti të armatosur mes forcave të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Konflikti nisi më 22 janar 2001, ndërsa përleshjet u përhapën në disa pjesë të vendit. Pas negociatave të zhvilluara në Ohër, marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Dokumentin e nënshkruan Branko Cërvenkovski, Arben Xhaferi, Lubço Georgievski dhe Imer Imeri, ndërsa si ndërmjetës dhe garantues morën pjesë përfaqësuesit ndërkombëtarë Francois Leotard dhe James Pardew.

Marrëveshja solli ndryshime të rëndësishme në sistemin politik dhe juridik të vendit. Ajo vendosi parime për mosdiskriminim, përfaqësim të drejtë, decentralizim dhe përdorimin e gjuhëve, si dhe mekanizma për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme pas saj ishte miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019 shqipja u bë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes.

Për monitorimin dhe zbatimin e marrëveshjes, në vitin 2004 u themelua Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, i cili më vonë u shndërrua në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Sot, 25 vite më vonë, Marrëveshja e Ohrit mbetet njëkohësisht simbol i paqes, dokument kyç i sistemit politik të vendit dhe një nga temat më të forta të përplasjes politike shqiptare.

Në vend të një konsensusi për trashëgiminë e saj, përvjetori i 25-të po shënohet me një debat të ri: a po konsolidohen të arriturat e Ohrit, apo po zhbëhen ato?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *