Ristoska për “Talir 2”: Vendimi i Gjykatës ngriti dyshime për shmangien e konfiskimit të pronës së VMRO-DPMNE-së
Ish-prokurorja Lençe Ristoska ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Penale në lëndën “Talir 2”, ku ish-kryeministri Nikolla Gruevski u lirua nga akuzat dhe u hoq rreziku i konfiskimit të selisë së VMRO-DPMNE-së, e njohur si “Pallati i Bardhë”. Ajo vlerëson se, megjithëse provat kanë mbetur të njëjta si në gjykimin e parë, rezultati ka ndryshuar, duke ngritur pyetje për mënyrën se si është arritur vendimi.
Sipas Ristoskas, ndryshimet në Kodin Penal kanë ndikuar në proces, por ato nuk shpjegojnë të gjitha paqartësitë, sidomos për pjesën që lidhet me detyrimet financiare dhe përfitimin e pronës nga partia. Ajo dyshon se vonesat e shumta në proces mund të kenë ndikuar që lënda të arrijë afatin e parashkrimit dhe të vështirësohet konfiskimi i pronës.
Rasti “Talir 2” lidhet me ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së në qendër të Shkupit, ku Gruevski akuzohej për keqpërdorim të detyrës dhe financim të paligjshëm të objektit. Katër vite më parë ai ishte dënuar me gjashtë vite burg dhe ishte vendosur konfiskimi i selisë, por pas rigjykimit Gjykata Penale mori një vendim të kundërt.

