31 zjarre në 24 orët e fundit, tetë ende aktive në Maqedoninë e Veriut
Gjithsej 31 zjarre në hapësira të hapura janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në vend, prej të cilëve tetë janë ende aktivë, ndërsa 23 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza.
Zjarre aktive janë regjistruar edhe në rajonin e Kërçovës, pranë fshatit Tajmishtë, ku po digjet pyll ahu me trungje të larta. Në Vrapçisht, zjarret janë aktive pranë fshatrave Lomicë dhe Gjurgevishtë, ku po digjet pyll i përzier. Zjarr ka edhe pranë fshatit Cerovë në Mavrovë dhe Rostushë, ndërsa në Zhelinë po digjen vegjetacion i ulët dhe fier.
Situatë veçanërisht serioze është paraqitur në fshatin Bonçe të Prilepit, ku zjarri, i ndihmuar nga era, gjatë mëngjesit iu afrua shtëpive të para. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, tha se rreziku ishte jashtëzakonisht i madh dhe se falë ndërhyrjes së ekipeve të zjarrfikësve dhe vullnetarëve u shmang përhapja e zjarrit në fshat.
Në shuarjen e zjarrit në Bonçe morën pjesë zjarrfikës nga Prilepi dhe Kavadari, si dhe vullnetarë nga Manastiri dhe Koçani. Gjendje serioze raportohet edhe pranë fshatit Paligrad në Komunën e Studeniçanit, ku zjarri është afruar pranë zonës së banuar.
Rreziku për përhapjen e zjarreve mbetet i lartë për shkak të temperaturave të larta. Sipas Drejtorisë për Çështje Hidrometeorologjike, temperaturat sot do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, ndërsa nesër pritet një ulje e lehtë, me temperatura deri në 38 gradë. Gjatë pasdites priten edhe reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë e përforcuar, me mundësi për stuhi të izoluara dhe breshër.
Për shkak të rritjes së rrezikut nga zjarret në hapësira të hapura dhe pyje, Qeveria ka shpallur gjendje krize në të gjithë territorin e vendit deri në fund të gushtit. Instituti i Shëndetit Publik, ndërkohë, u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga temperaturat e larta.

