Gjykata mbyll rastin “Total”, bie aktakuza ndaj gazetarit Dragan Pavloviq-Latas
Rasti gjyqësor “Total”, në të cilin gazetari Dragan Pavloviq-Latas akuzohej për evazion fiskal, ka përfunduar me refuzimin e aktakuzës, pasi prokurori publik hoqi dorë nga ndjekja penale. Sipas Gjykatës Penale, vendimi u mor pasi ekspertiza financiare konstatoi se për dy nga kompanitë e përfshira nuk ishin plotësuar elementet e veprës penale, ndërsa për Pavloviq-Latas dhe një kompani tjetër ndjekja penale kishte parashkruar.
Procesi gjyqësor kishte nisur në vitin 2017, pas aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP), ndërsa gjatë viteve ishte rifilluar disa herë për shkak të ndryshimeve të kompetencave ndërmjet prokurorive.
Gjykata njoftoi se aktgjykimi është i formës së prerë dhe do të publikohet në faqen zyrtare pas anonimizimit. Rasti lidhej me dyshimet se Pavloviq-Latas kishte shmangur pagesën e tatimit në periudhën 2008–2015 përmes kompanive “Total Marketing” dhe “Total Media Center”.

