Kasami paralajmëron lëvizje politike, Limani dhe Shabani e mohojnë: “Vazhdojmë të jemi ASH”

Lëvizje të reja në skenën politike shqiptare apo vetëm bashkëpunim institucional? Deklarata e kryetarit të VLEN-it, Bilall Kasami, se po zhvillohen bisedime me figura të opozitës ka rikthyer dilemat për një rikonfigurim të mundshëm të skenës politike.

Kasami sot konfirmoi se ka kontakte me eksponentë opozitarë dhe paralajmëroi se në ditët në vijim mund të ketë edhe veprime konkrete. Në fokus të këtyre deklaratave u përmendën edhe kryetarët e komunave të Gostivarit dhe Vrapçishtit, Valbon Limani dhe Isen Shabani.

BILALL KASAMI – KRYETAR I VLEN-IT

“Në skenën politike në përgjithësi ka zhvillime të tilla, ka lëvizje të tilla, veçanërisht këtu tek ne kur e dimë që opozita është e përçarë dhe ka pakënaqësi mes shumë strukturave opozitare. Dhe në këtë drejtim janë edhe bisedimet të cilat po zhvillohen, dhe unë besoj që ditët në vijim do të ketë edhe veprime konkrete.”

I pyetur nëse këto bisedime zhvillohen me Isen Shabanin dhe Valbon Limanin, Kasami nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë, por konfirmoi se kontakte të tilla ekzistojnë.

“Ka bisedime, por nuk do t’i zbuloj emrat sepse, domethënë, ditët në vijim do të kemi edhe veprime konkrete.”

Deklaratat e Kasamit u pasuan menjëherë me reagime nga dy kryetarët e komunave, të cilët mohuan se kanë zhvilluar negociata politike me pushtetin.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, tha se komunikimi me përfaqësuesit e pushtetit lidhet vetëm me çështje institucionale dhe bashkëpunimin ndërkomunal.

VALBON LIMANI – KRYETAR I KOMUNËS SË GOSTIVARIT

“Sa u përket çështjeve të tjera, përveç bisedave kolegiale që lidhen me bashkëpunimin ndërkomunal, në kuadër të Rajonit të Pollogut apo programeve qeveritare, nuk ka asnjë lloj bisede apo negocimi tjetër në vazhdim. Jam anëtar i Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet parti autonome, dhe nuk ekziston asnjë zhvillim që do të sugjeronte bisedime apo rikonfigurime të skenës politike.”

Ndërkohë, në qendër të vëmendjes u vu edhe kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani. Pas publikimit të një fotografie të tij me shefin e SPB-së Tetovë, Rijat Aliti, në opinion u ngritën dyshime për afrime të mundshme politike.

Shabani reagoi duke publikuar një fotografi të përbashkët me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, të shoqëruar me një mesazh të shkurtër: “Vazhdojmë”.

Mesazhi u interpretua si një sinjal se Shabani mbetet në radhët e ASH-së dhe se nuk ka ndonjë lëvizje drejt pushtetit.

Që nga formimi i qeverisë së re, në skenën politike shqiptare janë përfolur vazhdimisht mundësi për kalime të deputetëve dhe kryetarëve të komunave nga një subjekt politik në tjetrin. Megjithatë, deri më tani, ndryshimi më konkret mbetet largimi i deputetit Ilir Demiri nga subjekti i tij politik dhe vazhdimi i veprimtarisë së tij si deputet i pavarur.

Përplasja e sotme mes deklaratës së Kasamit dhe demantimeve të Limanit e Shabanit lë të hapur pyetjen nëse bëhet fjalë vetëm për komunikim institucional apo në prapaskenë po zhvillohen negociata për një rikonfigurim të mundshëm politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *