LSDM: Ndryshohen ministrat, por jo politikat e Qeverisë

LSDM ka reaguar ndaj rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë, duke e cilësuar atë si një “teatër politik” dhe një përpjekje të kryeministrit Hristijan Mickoski për të larguar vëmendjen nga, siç thonë, mungesa e rezultateve.

Sipas opozitës, ndryshimet në kabinet janë vetëm kozmetike, pasi resoret kryesore dhe qendra e vendimmarrjes mbeten në duart e së njëjtës strukturë qeverisëse.

“Nuk kemi të bëjmë me reforma, por me një kabinet të vjetër me një rregullim të ri. Disa ministra po ndërrojnë pozicione, disa emra të rinj po vijnë, por politikat dhe qendra e pushtetit mbeten të pandryshuara”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Partia opozitare vlerëson se rikonstruimi vjen në një kohë kur, sipas saj, ekonomia po përballet me vështirësi, çmimet janë në rritje dhe procesi i integrimit evropian ka ngecur.

Nga LSDM theksojnë se rikonstruimi nuk sjell ndryshim të politikave, nuk korrigjon gabimet dhe nuk përfaqëson marrje përgjegjësie, por vetëm zëvendësim të posteve.

“Qytetarët nuk do të marrin paga më të larta, çmime më të ulëta, shërbime më cilësore në shëndetësi e arsim apo një rrugë më të shpejtë drejt Bashkimit Evropian. Ata do të marrin vetëm një përqendrim edhe më të madh të pushtetit në duart e Mickoskit”, deklarojnë nga LSDM.

Sipas partisë, ministritë kyçe, përfshirë Punët e Brendshme, Mbrojtjen, Financat, Punët e Jashtme dhe Arsimin, mbeten nën drejtimin e të njëjtëve njerëz, ndërsa rikonstruimi, siç thonë, është vetëm një rotacion i posteve për të krijuar përshtypjen e ndryshimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *