Izet Mexhiti prezanton Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, një iniciativë që synon të pasurojë jetën kulturore dhe artistike në Shkup.
Sipas Mexhitit, festivali është konceptuar si një ngjarje që do të krijojë një traditë të re artistike dhe do ta pozicionojë Shkupin më fuqishëm në hartën kulturore rajonale dhe ndërkombëtare.
“Prezantojmë edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës ‘Çarshia’, një nismë e Komunës së Çairit që synon të krijojë një traditë të re artistike dhe ta vendosë Shkupin më fuqishëm në hartën kulturore”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se festivali do të shërbejë si një platformë për promovimin e muzikës, forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe shkëmbimin e përvojave mes artistëve nga vende të ndryshme, duke kontribuar në zhvillimin e skenës artistike dhe promovimin e vlerave kulturore të qytetit.

