Policia shqiptare: Zyrtarët e VLEN-it nuk u ndaluan, pengesa ishte për një person tjetër
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar, Skender Hita, sqaroi se tre zyrtarët e VLEN-it, Bekim Qoku, Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, nuk kanë pasur ndalesë për hyrje në Shqipëri.
Sipas Hitës, në pikën kufitare të Qafë Thanës ishin paraqitur katër persona, ku tre prej tyre kishin edhe pasaporta diplomatike dhe u ishte lejuar të vazhdonin udhëtimin. Pengesa, sipas tij, ka qenë vetëm për personin e katërt që shoqëronte grupin dhe kishte një ndalesë ligjore për hyrje në territorin shqiptar.
Për shkak të kësaj situate, të katër personat vendosën të kthehen në Maqedoninë e Veriut. Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, konfirmoi se vendimi për kthim ishte marrë në shenjë solidariteti me bashkudhëtarin e tyre, duke kërkuar sqarime për arsyet dhe bazën ligjore të ndalesës.
Ndërkohë, deputeti Adnan Azizi tha se rasti duhet të sqarohet dhe ngriti dyshime për një prapavijë politike, duke përmendur edhe zhvillime të mëparshme që lidhen me marrëdhëniet politike mes Shkupit dhe Tiranës.
Nga VLEN kërkuan që autoritetet shqiptare të publikojnë dokumentacionin zyrtar nëse ka pasur ndalesë, duke theksuar se marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të bazohen në transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë.

