Pas “Talir 2”, në Gjykatën Penale mbeten vetëm dy procese të lidhura me VMRO-DPMNE-në

Pas vendimeve për lirimin nga akuzat të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në rastin “Talir 2” dhe të gazetarit Dragan Pavloviq-Latas në rastin “Total”, në Gjykatën Penale të Shkupit kanë mbetur vetëm dy lëndë që lidhen drejtpërdrejt me VMRO-DPMNE-në: “Titanik”, për mashtrime zgjedhore, dhe “Talir 1”, për financim të paligjshëm të partisë.

Sipas raportimit të Slloboden Peçat, këto dy raste konsiderohen ndër proceset e fundit të mbetura nga hetimet e ish-Prokurorisë Speciale Publike (PSP), ndërsa pritshmëritë për konfiskimin e pasurisë së partisë dhe përgjegjësi penale për një pjesë të ish-udhëheqjes janë zbehur pas vendimeve të fundit gjyqësore.

Në rastin “Talir 1”, megjithëse akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare është parashkruar si pasojë e ndryshimeve në Kodin Penal të vitit 2023, ndjekja penale për pastrim parash vazhdon. Ish-prokurorja e rastit, Lençe Ristoska, kishte theksuar se kjo vepër parashkruhet vetëm në vitin 2035, ndërsa lënda tani udhëhiqet nga prokurorja Engjellushe Kadriu-Leshi.

Në bankën e të akuzuarve vazhdojnë të jenë VMRO-DPMNE si person juridik, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, Kirill Bozhinovski, Martin Protugjer, Ilija Dimovski dhe Edmond Temellko.

Ndërkohë, në rastin “Titanik”, që lidhet me parregullsi zgjedhore, procesi gjyqësor vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes. Lënda udhëhiqet nga gjyqtarja Vaska Nikollovska-Masevska, e cila e ka ndarë procesin në tri pjesë, ku për dy prej tyre tashmë janë shqiptuar dënime me kusht ndaj ish-nëpunësve shtetërorë.

Gjykata Penale ka sqaruar se lirimi i Gruevskit në rastin “Talir 2” ishte rezultat i ndryshimeve në Kodin Penal dhe mungesës së provave të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Ndërkohë, shumica e rasteve më të rëndësishme të hapura nga PSP-ja janë mbyllur ose janë parashkruar pas ndryshimeve ligjore të vitit 2023. Mes tyre janë edhe lëndët “Target-Fortesa”, “Talir 2” dhe “Total”, duke lënë “Titanikun” dhe “Talir 1” si dy proceset kryesore të mbetura nga epoka e ish-Prokurorisë Speciale Publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *