Provimi i jurisprudencës – Mevlan Ademi shpërthen pas vonesave

“Na mashtruan me afatet”  – Provimi vetëm në shqip!

Iniciatori i protestës për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe Mevlan Ademi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke shprehur pakënaqësi ndaj, siç thotë ai, zvarritjes së zgjidhjes së problemit dhe ndryshimit të afateve të premtuara nga institucionet.

Sipas Ademit, fillimisht ishte premtuar se çështja do të zgjidhej brenda një jave, ndërsa tani flitet për një afat prej më shumë se gjashtë muajsh. Sipas tij, kjo vonesë po i lë pa mundësi qindra të rinj të diplomuar në drejtësi që ta japin provimin në gjuhën e tyre amtare. Në reagimin e tij, Ademi kundërshton edhe idenë që provimi të organizohet pjesërisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në gjuhën maqedonase, duke e cilësuar një zgjidhje të papranueshme.

“As na pyetën. As e pranojmë. Gjysmë provimi nuk është gjysmë e drejtë, është e drejtë e mohuar”, shkruan ai.

Ademi rithekson se kërkesa e protestuesve mbetet e pandryshuar: zbatim i plotë dhe i menjëhershëm i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe zhvillimi i provimeve tërësisht në gjuhën shqipe, pa vonesa dhe, sipas tij, pa premtime boshe. Reagimin e tij Ademi e përmbyll me mesazhin: “Fol shqip o Taj!”, duke përsëritur thirrjen që është bërë simbol i protestës për të drejtat gjuhësore në provimet profesionale.

Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe vazhdon të mbetet pa zgjidhje konkrete, ndërsa zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali për muaj me radhë ka përsëritur premtimin se studentët shqiptarë do ta japin provimin në shqip. Pas disa afateve të paralajmëruara dhe deklaratave për një zgjidhje të shpejtë, procesi përfundoi me një propozim që provimi të zhvillohet pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht, gjë që ka zhgënjyer studentët. Ndërkohë, deklaratat e Saliut dhe qëndrimet e kryeministrit Hristijan Mickoski kanë ndryshuar disa herë, nga premtimet për zgjidhje të plotë, te nevoja për ndryshime ligjore dhe konsultime.

https://www.facebook.com/mevlan.ademi.9

Mevlan Ademi

POV: të premtuan zgjidhje për 1 javë. Tani thonë 6+ muaj. 🕐➡️🗓️

Ndërkohë gjenerata të tëra juristësh po diplomohen pa mundësinë ta japin provimin në gjuhën e vet. Çdo muaj vonesë = qindra të rinj që presin.

Dhe “zgjidhja” e re? Gjysma shqip, gjysma maqedonisht.

As na pyetën. As e pranojmë. Gjysmë provimi nuk është gjysmë e drejtë është e drejtë e mohuar.

Kërkesa jonë s’ka ndryshuar dhe s’ndryshon:

✅ Zbatim i plotë dhe i menjëhershëm i Ligjit të Gjuhës

✅ Provimet TËRËSISHT në shqip

❌ Pa zvarritje, pa premtime boshe

FOL SHQIP O TAJ! 🗣️🔴⚫

#FolShqip#ProvimiNëShqip#LigjiIGjuhës

See less

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *