Pseudomonas aeruginosa ende në ujin e Gostivarit, vazhdon ndalesa për pije dhe përgatitje ushqimi
Bakteria Pseudomonas aeruginosa vazhdon të jetë e pranishme në ujin e Gostivarit, për shkak të së cilës uji nga ujësjellësi ende nuk guxon të përdoret për pije dhe për përgatitjen e ushqimit.
Edhe pse uji është vlerësuar si teknikisht i rregullt, autoritetet theksojnë se ai ende nuk është i sigurt për konsum. Sipas ekspertëve, Pseudomonas aeruginosa mund të shkaktojë infeksione të lëkurës, syve dhe veshëve, si dhe infeksione të traktit urinar dhe mushkërive, veçanërisht te personat me imunitet të dobësuar.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov, deklaroi se analizat e fundit kanë konfirmuar praninë e kësaj bakterie në ujin e pijshëm.
“Këto baktere e bëjnë ujin mikrobiologjikisht të papërshtatshëm dhe të pasigurt për konsum, sepse janë të rrezikshme për shëndetin, veçanërisht për personat me imunitet të dobësuar. Mund të shkaktojnë infeksione të lëkurës, syve dhe veshëve, si dhe infeksione të traktit urinar dhe mushkërive te personat e ndjeshëm. Karakteristikë e tyre është se tregojnë rezistencë të lartë ndaj një numri të madh ilaçesh dhe antibiotikësh të zakonshëm”, deklaroi Angellov.
Sipas tij, analizat e fundit tregojnë përmirësim të gjendjes së ujit, por procesi i hiperklorimit vazhdon, pasi në disa mostra ende është konstatuar prania e bakterieve.
Problemet me ujin në Gostivar nisën pas raportimeve të shumta të qytetarëve për probleme shëndetësore dhe shqetësime me stomakun. Gjatë kontrolleve në terren, u zbulua një pompë që, sipas autoriteteve, fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit.
Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe dy të punësuar të tjerë u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth.
Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tri pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm, me qëllim testimin e presionit të ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte marrë mostra të ujit, por rezultatet e analizave nuk u publikuan menjëherë nga Qeveria dhe Prokuroria. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.
Në mostrat e ujit u zbuluan 2.419,6 CFU/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 CFU/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme. Sipas standardeve, në ujë nuk duhet të ketë fare baktere koliforme, ndërsa në mostrat e analizuara u gjetën 39 CFU/100 ml.
Rezultatet treguan për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm, ndërsa autoritetet vazhdojnë me masat për pastrimin dhe dezinfektimin e sistemit të ujësjellësit.

