Zgjerohet Qeveria, por jo VLEN-i? Kasami hap derën, Sela e mbyll: “nuk tregtojmë me të drejtat e shqiptarëve”
A po zgjerohet shumica parlamentare me një tjetër subjekt shqiptar? Deklaratat e fundit për zgjerimin e qeverisë kanë rikthyer në vëmendje raportet mes pushtetit dhe opozitës shqiptare, ndërsa në qendër të debatit është vendosur Lidhja Shqiptare e Zijadin Selës. Kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, thotë se qeveria është e hapur për zgjerim dhe se bisedimet mund të zhvillohen me çdo subjekt që pranon programin e qeverisë. Megjithatë, Kasami përjashton mundësinë që Zijadin Sela të bëhet pjesë e koalicionit VLEN.
“Nuk besoj që ka bisedime në drejtim të përfshirjes në VLEN, por që ka biseda në drejtim të përfshirjes në qeveri, ka biseda. Pra, qeveria mund të zgjerohet, por për momentin, zotëri Sela, nuk jemi në bisedime me zotëri Selën për të qenë pjesë e VLEN-it. Për pjesë të qeverisë bisedojmë me të gjithë ata të cilët pranojnë programin e qeverisë dhe janë të gatshëm që të jenë pjesë e saj.”thotë Kasami.
Por, në anën tjetër, nga Lidhja Shqiptare mohojnë kategorikisht çdo mundësi për t’iu bashkuar pushtetit aktual. Nga kjo parti thonë se nuk e shohin veten pjesë të një pushteti që, sipas tyre, i vendos të drejtat e shqiptarëve në funksion të interesave politike.
LIDHJA SHQIPTARE
“Lidhja Shqiptare nuk e sheh veten pjesë të një konglomerati mbetjesh të llojllojshme që tregtojnë të drejtat e shqiptarëve në shkëmbim të pushtetit.”
Deklaratat vijnë në një moment kur po shtohen diskutimet për zgjerimin e shumicës parlamentare. Mundësia e një afrimi mes pushtetit dhe Zijadin Selës u vu në qendër të vëmendjes pas takimit të tij, javë më parë, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Takimi riktheu edhe një herë vëmendjen te raportet politike mes subjekteve shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe te mundësia e ndryshimeve të reja në shumicën parlamentare.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur publikisht koalicionin VLEN për pjesëmarrje në qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Vetëvendosje përfaqësohet në Kuvend edhe përmes deputetit Bekim Qoku.
Për momentin, megjithatë, qëndrimet duken të qarta: Kasami thotë se dera e qeverisë është e hapur për ata që pranojnë programin e saj, ndërsa Lidhja Shqiptare e Selës e refuzon publikisht një bashkëpunim të tillë.
Pyetja që mbetet është nëse deklaratat e sotme janë vetëm qëndrime publike, apo nëse prapa skenës po zhvillohen kontakte që mund të ndryshojnë përbërjen e shumicës parlamentare.

