“8 Shtatori” pa asnjë shqiptar – përplasje mes BDI-së dhe VLENIT-it për çmimet shtetërore
Asnjë shqiptar në mesin e pesë laureatëve të sivjetshëm të çmimit shtetëror “8 Shtatori”. Mungesa e sportistëve, trajnerëve dhe punonjësve sportivë shqiptarë në listën e të shpërblyerve ka nxitur reagime të forta politike dhe ka rikthyer përplasjet mes opozitës shqiptare dhe koalicionit VLEN.
Nga BDI akuzojnë pushtetin për përjashtim të shqiptarëve nga vlerësimet shtetërore, ndërsa përgjegjësinë politike ia atribuojnë edhe koalicionit VLEN, të cilin e akuzojnë për heshtje përballë këtij, siç thonë, përjashtimi.
GRAFIKË – BDI
“Në shpërblimet shtetërore ‘8 Shtatori’, edhe këtë vit rezultati është i turpshëm: 0 shqiptarë. Asnjë sportist, asnjë trajner, asnjë emër shqiptar në mesin e të vlerësuarve. Pra, për këtë qeveri, shqiptari është i mirë vetëm kur duhet ta përfaqësojë shtetin dhe të sjellë medalje, por bëhet i padukshëm kur vjen momenti që shteti ta njohë dhe ta shpërblejë suksesin e tij. Kur shqiptarët përjashtohen, VLEN hesht.”
Por akuzat për përjashtim mbi baza etnike i kundërshton kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami. Ai tha se përzgjedhja e laureatëve bëhet nga komisionet përkatëse, në bazë të aplikimeve dhe kontributit të kandidatëve.
Kasami theksoi se çmimet shtetërore nuk duhet të ndahen mbi bazën e kuotave etnike dhe se mungesa e përfaqësuesve të një komuniteti në një manifestim të caktuar nuk duhet të interpretohet automatikisht si diskriminim.
BILALL KASAMI – KRYETAR I VLEN-IT
“Janë komisionet ato të cilat bëjnë vlerësimin në bazë edhe të aplikimeve dhe kërkesave, por sigurisht që ka manifestime ku do të ketë apo ka pasur më shumë shqiptarë, prandaj nuk i shohim ne manifestimet e veçanta si diçka që duhet pra të ketë patjetër numër të caktuar të komuniteteve. Pra, konform angazhimit dhe kontributit që japin komunitetet në fusha të caktuara, ndonjëherë mund të ketë më pak apo më shumë. Kjo do të thotë se në një çmim tjetër, në një manifestim tjetër besoj që shqiptarët do të jenë më të përfaqësuar.”
Çmimi shtetëror “8 Shtatori” ndahet çdo vit me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme shtetërore në fushën e sportit. Këtë vit, komisioni përkatës ka ndarë gjithsej pesë çmime: një për vepër jetësore dhe katër për arritje të veçanta sportive. Në mesin e pesë laureatëve nuk figuron asnjë emër shqiptar. Pikërisht kjo ka hapur edhe një debat më të gjerë – nëse mungesa e shqiptarëve në listën e të shpërblyerve është rezultat i procesit të përzgjedhjes mbi bazën e meritës dhe aplikimeve, apo dëshmi e një përfaqësimi të pamjaftueshëm të komuniteteve në vlerësimet shtetërore. Përplasja politike ndërkohë vazhdon, me BDI-në që kërkon përgjegjësi nga pushteti dhe VLEN-i, ndërsa nga koalicioni në pushtet insistojnë se çmimet duhet të bazohen në kontribut dhe meritë, e jo në përkatësi etnike.

