Vetëm 11 shqiptarë në gjeneratën e parë të Shkollës së Policisë „7 Maji“, Toshkovski: Problemi është mungesa e interesimit
Vetëm 11 kandidatë shqiptarë janë pranuar në gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Policisë „7 Maji“, e cila është rikthyer pas tre dekadash. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se problemi nuk qëndron te procesi i pranimit, por te numri i vogël i kandidatëve shqiptarë që kanë aplikuar, transmeton Portalb.mk.
Nga gjithsej 510 kandidatë që kanë aplikuar, 31 kanë qenë shqiptarë, ndërsa pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes janë pranuar vetëm 11 prej tyre.
Gjatë vizitës në Shkollën e Mesme të Policisë „7 Maji“, Toshkovski u dorëzoi solemnisht kontratat e shkollimit dhjetë kandidatëve të parë, ndërsa foli edhe për përfaqësimin e shqiptarëve në gjeneratën e parë të kësaj shkolle.
„Nga ato 510 që janë paraqitur, 31 janë kandidatë shqiptarë dhe nga ata janë pranuar 11. Nuk është problemi në pranimin, por problemi është në interesimin. Këtë duhet ta zgjidhim menjëherë“, tha Toshkovski.
Ai paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të punohet për motivimin e të rinjve nga të gjitha komunitetet etnike që të aplikojnë për regjistrim në Shkollën e Mesme të Policisë.
Fillimisht ishte planifikuar që në shkollë të pranoheshin 200 nxënës, por për shkak të interesimit të madh numri u rrit për 50 për qind. Nga gjithsej 510 kandidatë, pas verifikimit të kushteve, janë pranuar 310 nxënës.
Toshkovski tha se një pjesë e kandidatëve nuk kanë arritur t’i plotësojnë kriteret e konkursit, ndërsa ndër arsyet kryesore përmendi sjelljen në shkollë dhe kriterin e gjatësisë.
Rikthimi i Shkollës së Mesme të Policisë „7 Maji“ vjen pas plot tri dekadash nga regjistrimi i fundit. Megjithatë, numri i ulët i kandidatëve shqiptarë – vetëm 31 aplikantë dhe 11 të pranuar – mbetet një çështje që, sipas ministrit, duhet të trajtohet në të ardhmen përmes aktiviteteve që do të rrisin interesimin e të rinjve për profesionin e policit.

